Gareth Bale: Ja pse u largova nga Reali, momenti më i bukur…
Gareth Bale ka rigjetur lumturinë në Londër. Gjërat shkojnë mirë për të, pasi në 6 ndeshjet e fundit në të cilat ka luajtur ka shënuar 6 gola dhe ka shërbyer 3 herë me pasime vendimtare.
Pasi kaloi disa muaj mes dyshimesh të mëdha, uellsiani duket se ka gjetur vendin e tij. Në këtë atmosferë të rehatshme, Bale, kartonin e të cilit e zotëron ende Reali i Madridit, ka dhënë një intervistë në kanalin zyrtar të klubit anglez, ku ka shpjeguar dhe arsyet që e detyruar të kthehej te Spurs-at.
“Të gjithë e dinë se sa shumë e dua Tottenhamin. U largova nga Madridi sepse doja të luaja dhe doja të ndihmoja ekipin. Kthimi në një vend ku e dija se do të më jepnin kaq shumë dashuri, ma lehtësoi punën për të marrë vendimin e duhur. Më ka ndihmuar të ul kokën dhe të përqendrohem vetëm në futboll”.
Sidoqoftë, në “Santiago Bernabeu”, Bale pati fatin të kishte shok skuadre lojtarin më të mirë me të cilin ka qenë në gjendje të ndajë dhomën e zhveshjes.
“Më i miri ka qenë Cristiano Ronaldo, për golat dhe titujt që kemi arritur së bashku. Pa dyshim që ai është një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave”.
Ka fituar katër trofe të Championsit në klubin “merengues”, por momentin më emocionues të karrierës së tij konsideron kualifikimin e Uellsit në Euro 2016, që u zhvillua në Francë.
“Ishte shumë e veçantë, sepse ishte hera e parë që vendi im kualifikohej në fazën finale të një turneu kaq të rëndësishëm dhe ne ishim një grup lojtarësh që kishin luajtur së bashku që kur ishim 17 vjeç”.
Top Channel