Garderoba ‘kapsulë’: Pse ju nevojitet dhe si ta ndërtoni atë
Midis ndjekjes së trendeve gjithnjë në zhvillim dhe ndryshimit të stinëve, ndërtimi i një garderobe mund të jetë sfiduese. Po sikur t’ju themi se ka një mënyrë për ta bërë më të lehtë zgjedhjen e veshjes suaj për çdo ditë dhe për t’ju ndihmuar të kurseni sa më shumë para kur blini rroba? Përgjigja: garderoba e ashtuquajtur ‘kapsulë’.
“Një garderobë ‘kapsulë’ është një koleksion shumë i kuruar i veshjeve (dhe nganjëherë aksesorëve) që synohet të jetë lehtësisht e përshtatshme me stinët, duke maksimizuar numrin e veshjeve,” sipas Jordan Foster, drejtoresha e ‘Favorite Daughter’.
Nga bluzat te xhinset e rehatshme, palltot cilësore e këpucët, një garderobë ‘kapsulë’ ofron detajet e nevojshme për çdo veshje. Por çfarë duhet të përfshijë ajo? “Artikujt më të rëndësishëm janë ato që mund të stilohen në mënyra të ndryshme, si dhe artikujt kryesorë që mund t’i kombinoni me pjesën tjetër të veshjeve tuaja,” thotë dizenjuesja e çantave Marina Raphael.
Foster, Raphael dhe ekspertë të tjerë të modës kanë ndarë këshillat e tyre për krijimin e një garderobe ‘kapsulë’ që përputhet me stilin tuaj personal, si dhe të stiloni tendencat që do t’i rezistojnë kohës.
Krijimi i garderobës ‘kapsulë’
Besojeni apo jo, një koleksion ‘kapsulë’ fillon me atë që keni në dollapin tuaj. Bëni inventarin e artikujve që keni dhe ju pëlqen të vishni. Me shumë mundësi, ju keni disa nga gjërat thelbësore: një T-shirt të bardhë të thjeshtë, një palë xhinse të rehatshme, një xhaketë, një pulovër dhe një fustan të thjeshtë.
“Ju mund të krijoni të paktën pesë veshje me këto elemente”, thotë Foster.
Më pas, filloni të shtoni artikuj të veçantë për çdo sezon. Për muajt më të ftohtë, Foster sugjeron të keni një pulovër të trashë të thurur, pantallona të zeza dhe një pardesy të gjatë. Kur të vijë moti më i ngrohtë, mendoni të shtoni një palë pantallona të shkurtra xhins, një bluzë të thjeshtë pambuku, një pulovër të lehtë dhe një xhaketë xhins.
Dhe ndërsa çdo garderobë ‘kapsulë’ fillon me elementet bazë, koleksioni përfundimtar do të duket ndryshe për të gjithë. “Garderoba juaj ‘kapsulë’ duhet të jetë plotësisht për ju”, këshillon Foster. “Nëse jeni dikush që pëlqeni të vishni funde të shkurtra gjatë verës, atëherë sigurohuni që t’i keni në dollapin tuaj.”
Kur blini veshje, Raphael thotë gjithashtu t’i besoni instinktit tuaj: “Nëse diçka që vishni nuk ju përfaqëson, ose ju bën të ndiheni të parehatshëm, atëherë vazhdoni të kërkoni derisa të gjeni diçka që i përshtatet nevojave dhe estetikës suaj.”
Përfshirja e tendencave
Pasi të keni siguruar gjërat thelbësore, atëherë mund të filloni të blini rroba të tjera për të ndjekur edhe tendencat e kohës. Një nga mënyrat më të mira për të qenë stil pa harxhuar shumë? Aksesorët.
“Tendencat e këpucëve dhe çantave priren të evoluojnë më shpejt për mendimin tim dhe ka kaq shumë marka të jashtëzakonshme dhe me cilësi të shkëlqyera që bëjnë artikuj me çmim të përballueshëm,” thotë Foster. “Xhinset e kombinuara me T-shirt do të jenë gjithmonë në modë. Sot do ta kombinonit me një çizme dhe një çantë të vogël, ndërsa katër vjet më parë do ta kombinonit me çizme të frymëzuara nga kauboji dhe një çantë të madhe.”
Aksesorët më ‘IN’ të momentit janë kapelet dhe shamitë. Shamitë mund t’i vishni pothuajse me çdo gjë – edhe me një veshje sportive. Sa i përket kapelave, edhe ato shkojnë në thelb me çdo veshje.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për tendencat, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj ‘çmendurive’ të modës. Gjërat që kthehen shpejt në modë kanë të ngjarë të dalin papritur nga moda. Përpiquni të pyesni veten: “A po e blej këtë sepse njerëzit e tjerë mendojnë se është ‘cool’ apo është diçka që e dua vërtet?”
Zgjidhni ku do investoni
Nëse jeni duke kërkuar të investoni në një artikull luksoz për ta shtuar në garderobën tuaj, ka disa opsione për t’u marrë në konsideratë – qoftë ajo një çantë dore, bizhuteri apo veshje.
“Çantat e dorës janë pa dyshim aksesori ku do të investoja paratë e mia”, thotë Leinberry. “Unë do të zgjidhja një stil klasik që funksionon për sezone të shumta dhe për estetikë të shumëfishtë në një ngjyrë neutrale.”
Kur blini një çantë luksoze, Raphael sugjeron t’i kushtoni vëmendje cilësisë dhe ndërtimit të pjesës, si dhe komoditetit dhe përshtatjes.
Megjithatë, nëse çantat e dorës thjesht nuk janë pika juaj e fortë, kini parasysh të shtoni bizhuteri me cilësi të lartë. “Unë besoj se të gjithë duhet të investojnë te bizhuteritë e bukura,” thotë Foster. Leinberry është gjithashtu një adhuruese e bizhuterive me diamante.
Por, çfarëdo artikulli luksoz që ju mendoni se ia vlen, dëgjoni këshillën e Batchelor: “Pavarësisht se çfarë është, duhet t’ju bëjë të ndiheni mirë. Mos blini kurrë një artikull luksoz thjesht sepse është në modë. Më pëlqen diçka praktike që mund ta përdor.”
Burimi: People