‘Gabimi’ i duhur i Irma Libohovës, këngëtarja në një rrëfim të sinqertë për 40 vitet e karrierës
Irma Libohova: Unë gjyshja e Lules
Irma Libohova është një emër me shumë peshë në muzikën shqiptare. Së fundmi, trofeu më i madh për të është Lulja, mbesa e vogël, me të cilën kalon një kohë shumë të gjatë. Duke qenë se është shumë e prirur ndaj gjërave që ofron vendi ynë, pas gjithçkaje që vjen në gjuhën shqipe, dëshira e saj, ishte që emri i mbesës të ishte totalisht shqiptar, dëshirë e cila gjeti miratimin edhe të prindërve të vogëlushes. Mbesa e vogël është shndërruar në lulen që lulëzon më së shumti në bahçen e gjelbëruar të Irmës.
Edhe pas 40 vitesh karrierë, Irma vijon të bëjë muzikë me po të njëjtin intensitet, me po të njëjtin ritëm, dashuri dhe dëshirë.
Nuk është nga ato këngëtare që jemi mësuar ta shohim çdo ditë pjesë e portaleve duke reklamuar jetën e luksit, pushimet e shtrenjta, dhuratat e pafundme, shumë prej tyre nga persona anonimë, por është ndër të paktat artiste që ka zgjedhur të flasë me publikun vetëm me muzikën që bën. Pas shumë vitesh, në 70-vjetorin e themelimit të Pallatit të Pionierëve, sot Qendra Kombëtare për Fëmijë, ajo risolli në skenë, këngën që e bëri të famshme. ‘Gabimi i Mirelës’, ishte trampolina që e hodhi atë shumë lart, kënga që është mësuar dhe vijon të mësohet brez pas brezi. E ka të vështirë të përshkruajë me fjalë emocionin që ndjeu duke dalë sërish përpara profesorëve të saj dikur, sot kolegë dhe miq shumë të ngushtë. E bën pjesë në grupin e atyre emocioneve që duhen provuar, për t’u kuptuar, pasi për t’u shpjeguar, është e pamundur.
Në karrierën e saj nuk ka preferuar të ecë me hapa galopantë, por me hapa të vegjël dhe të sigurt, një “strategji” që ka funksionuar me shumë sukses, jo më kot, ajo ia ka dalë të jetë pjesë e muzikës shqiptare për më shumë se 40 vite, por ajo ç’ka është më e rëndësishme: të gëzojë dashurinë e publikut, njësoj si ditën e parë që ka dalë në skenë, ndoshta edhe më shumë. Ka fituar shumë çmime të para, të cilat i veçon si momentet më kulminante të karrierës, ndonëse trofetë nuk janë njësi matëse për suksesin, e rëndësishme, tregon Irma, është feedback-u që merr nga publiku.
Projekti i radhës, i cili pritet të marrë jetë shumë shpejt, është një këngë dedikuar djemve, në të cilën pasqyrohen kujtimet e një nëne teksa marton djalin. Gjithashtu në planet e saj të afërta është edhe një bashkëpunim me motrën, Erandën, por për këtë të fundit do të duhet të presim pak pasi nuk ka asgjë konkrete, përveç dëshirës së mirë për të sjellë një bashkëpunim mes motrave ashtu siç u ka hije vetëm atyre të dyjave.
Irma, ju iu rikthyet fillimeve të karrierës suaj në 70-vjetorin e Pallatit të Pionierëve, ku kënduat ‘Gabimi i Mirelës’, kënga që ju bëri të famshme. Çfarë ndjesie përjetuat kur e risollët këtë këngë?
Në aktivitetin e Pallatit të Pionerëve, unë kam kënduar një këngë që flet për gabimin, por që s’ishte fare gabim, ishte gabimi i duhur. Nuk e përshkruaj dot emocionin për arsye sepse gjithësecili në fëmijërinë e vet e ka atë fletën e bardhë dhe çdo gjë që shkruan, çdo emocion, çdo përjetim, mbetet aty dhe sinqerisht gjithë atë emocion, atë përjetim, mua ma risolli ky aktivitet. Të gjithë skenën e atyre viteve ma sollën njerëzit që sot që janë gjallë që ishin aty. Psh. një emocion shumë i fortë për mua është profesor Berti, Robert Radoja. Emocion i fortë janë edhe zyshat e mija që edhe ato ishin pjesë e asaj mbrëmje, si Zana Frashëri. Një emocion tjetër ishte edhe përkujtimi i Aleksandër Lalos, i cili fatkeqësisht nuk jeton më, sepse ai është autor i këngës dhe unë kam bashkëpunuar. Ndoshta duhet të kisha reaguar më parë për vdekjen e tij, por aty gjeta rastin për ta falenderuar, pasi pata një gëzim tjetër dhe nuk doja t’i përplasja bashkë, por doja të përjetoja atë gëzim, pasi kisha kalur një traumë. Megjithatë me shumë dashuri e kujtuam në atë skenë, me nipin dhe djalin e tij dhe gjithë kjo panoramë për mua ishte një emocion shumë i fortë. Të kthehesh në ato vite, unë sot si gjyshe, dhe të përjetosh po ato emocione. Nuk i shpjegoj dot, duhet ta provosh që ta kuptosh.
Në më shumë se 40 vite karrierë, cilin veçoni si momentin kulminant?
Unë dua që gjërat të më vijnë gradualisht, nuk i kam qejf ato shkapërcimet e mëdha. Mendoj që karriera ka kulmet e veta, kur ti ke bërë më parë një histori. Unë kam kënduar 10-15 vjet në skenë dhe më pas kam marrë një çmim të parë, pastaj kam marrë një çmim tjetër, sepse unë kulmet e karrierës sime i mas me arritjet e mia dhe më pas me stimul. Kam marrë çmime tek ‘Kënga Magjike’, te Festivali i Këngës, në koncertet e pranverës. Them që rryma që kam zgjedhur, ndoshta me të drejtë ose pa të drejtë më dërgoi në këtë rrugë. Unë kisha mbaruar liceun, isha këngëtare e muzikës klasike dhe besoj që ky drejtim që mora nuk ishte aspak gabim. Besoj që kam bërë gjënë e duhur dhe pritshmëritë besoj që kanë qenë të duhurat.
Vijoni të keni të njëjtin aktivitet të larmishëm muzikor?
Me po të njëjtin ritëm, me po të njëjtin temp, me të njëjtën shpejtësi, dashuri dhe dëshirë. Ky sezon ka qenë i mbushur me koncerte, aq më tepër për festat e fundvitit. Unë kam një trekëndësh që lëviz gjithnjë: Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Gjatë festave të fundvitit kam qenë edhe në Kanada, në Amerikë. Deri me datë 2 janar kam qenë jashtë Shqipërisë, pastaj më pas ne ndalim frymë, për të rifilluar sërish në sezonin e pranverës.
Pak javë më parë, ju jeni bërë gjyshe dhe ia keni vendosur emrin Lule, përse kjo zgjedhje?
Nuk ka qenë zgjedhje e imja, por ndikimi im absolut. Unë jam shumë e prirur për gjërat tona, gjërat që ofron vendi ynë, pas çdo gjëje që vjen në gjuhën shqipe dhe emri përfaqëson dhe identitetin dhe kam dashur shumë që të ishte një emër shqiptar. Prindërit janë ata që vendosin, fëmija ishte i tyre, ajo është mbesa ime dhe ne gjetëm një emërues të përbashkët dhe i kemi vendosur një emër që është gjithnjë trend.
Këtë gëzim nuk e ndatë dot fatkeqësisht me bashkëshortin tuaj, i cili u nda nga jeta pak muaj më parë, si mendoni që do e kishte shprehur ai gëzimin?
Është një nga pikat më të dhimbshme, për fat të keq as nuk e mori vesh. Ai vdiq tre ditë pasi ne e morëm vesh që do vinte në jetë një bebe. Atij ia çojmë lajmin herë pas here në qiell. Na u plotësua një dëshirë si prindër, për atë misionin për të cilin jemi në jetë, të lëmë trashëgimi, ai nuk e pati këtë fat.
Si do e vlerësonit tregun aktual muzikor, parë nga syri i një profesionisteje, që ka më shumë se 40 vite në skene?
Tregu nuk pengon asnjë këngëtar. Këtu është një fushë betejë e hapur dhe kush ka krijimtari të bukur, ia del të triumfojë. Sot kemi një sistem tjetër se si vlerësohen këngëtarët, kemi Youtube, ku aty shfaqemi të gjithë. Disa klikime janë fallco, por shumica janë të vërteta. Kjo pjesë nuk më pengon aspak. Ajo që më pengon sa i përket Shqipërisë, është ç’ka emëtohet aty. Fatkeqësisht ka shumë pak profesionalizëm dhe shumë të pashkolluar, por të talentuar. E them gjithmonë, nëse ke talent dhe nuk ke shkollë, mbetesh gjithnjë amator. Fatkeqësisht, po flas për produksionet që dëgjoj, çalojnë, nuk ka kreativitet, nuk ka asgjë të veçantë, më duken të gjitha njësoj sikur janë bërë nga një dorë. Kur bëj krahasimin me këngët e huaja, kuptoj që këngët shqiptare lënë për të dëshiruar. Mendoj që shteti duhet të bëj një kontroll, të vendosë filtrat e tij, jo në Youtube, në krijimtari. Nuk duhet të tolerojë një krijmtari të tillë, pasi ajo e përfaqëson shtetin, bën një histori. Ka shumë talente, por ama duhet t’i orientojnë shijet e publikut me profesionalizëm dhe jo amatorizëm.
Ka qenë më e lehtë për t’u bërë këngëtar atëherë apo tani?
Nuk është aspak e lehtë të bëhesh këngëtar, ashtu sikurse edhe profesionet e tjera. Njerëzit kanë veshë dhe sy, nëse je e bukur do të të shohin 5 minuta, nëse nuk këndon as nuk do të të shohin dhe as nuk do të të dëgjojnë. Të bëhesh këngëtar duhet të kesh zë, ngjyrë tek ai zë, vesh melodik dhe ritëm. Pasi t’i kesh këto katër elemente duhet edhe një repertor i gjerë, nëse do të përballesh me publikun, por edhe nëse do të krijosh vetë. Të jesh e bukur, nuk mjafton.
Cilin/cilën nga këngëtaret e brezit të sotëm do të veçonit?
Nuk dua të veçoj asnjë absolutisht, pasi Shqipëria ka këngëtarë shumë të mirë, por krijimtaria nuk është në nivelin e duhur. Një krijmtari e bukur e ndrit një këngëtar.
Kemi vënë re tashmë që pas çdo festivali ka akuza, shpërthime nga këngëtarët kundër festivalit. Mendoni që problemi qëndron tek artistët që pretendojnë shumë apo tek organizatorët?
Mua më duket një ç’orientim i përgjithshëm, nuk dimë çfarë kërkojmë, çfarë duam të bëjmë në atë që presim. Më duket një çoroditje që shpresoj të kalojë. Kemi kaluar nga një sistem në tjetrin, dhe pasojat do t’i vuajë edhe ky brez. Unë bëj krahasimin me Kosovën, ata kanë këngëtarë të mirë, produksione të mira, na kanë “mbuluar” me muzikën e tyre dhe e kanë orientuar për mirë tregun. Sa për Shqipërinë, më vjen keq që jo profesionalizmi ka orientuar keq tregun.
Planet për të ardhmen, projektet që po përgatisni?
Për momentin kam përgatitur një këngë për djemtë, se më kanë thënë shpesh që bëj këngë vetëm për vajza. Po bëj një këngë për të gjithë kujtimet e nënës në ditën kur marton djalin, tregon momentet kur ajo e shikon të birin me kostum dhe ndërkohë ajo i këndon dhe do vijë së bashku me një klip. Kemi plan për të bërë një bashkëpunim edhe me Erandën, kemi mbetur tek krijimtaria. Kemi dëgjuar disa krijimtari, por nuk na kanë bindur sepse kemi vite pa sjellë një bashkëpunim bashkë dhe duam të bëjnë diçka shumë të bukur. Jam duke bërë edhe rregullimin e kanalit tim në Youtube, do disiplinoj kanalin tim. Kam në plan për t’i bërë mbesës një këngë, por këto janë dëshira që vijnë natyrshëm, jo me të shtyrë.
Ju artistët jeni gjithnjë në punë për festa, ku ju gjeti nata e ndërrimit të viteve?
Me datën 31 dhjetor isha në Durrës ndërsa në datën 1 në Ferizaj me koncert, për t’u kthyer në datën 2 për t’u qetësuar, për të rifilluar sërish punën.
Botuar në revistën BORDO – Mars 2018