Futbolli shqiptar në zi! Ndahet nga jeta në moshën 18-vjeçare lojtari i Skënderbeut
Një lajm i trishtë vjen nga qyteti i Korçës. Futbollisti i Skënderbeut Dorian Tahirllari ka ndërruar jetë në moshën 18-vjeçare, duke humbur betejën me sëmundjen e rëndë që vuante prej disa kohësh.
I riu vuante nga tumori malinj në stomak, veshka dhe shtyllën kurrizore. Dorjani zbuloi sëmundjen e rëndë para një viti dhe kreu 5 operacione për të larguar masën tumorale. Familja e tij bëri shpesh apel për ndihmë në media, për të mundësuar të ardhurat e nevojshme për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale. Pavarësisht përpjekjeve të familjes, mjekëve dhe ndihmës që ata morën, fatkeqësisht 18-vjeçari nuk arriti të fitojë betejën me sëmundjen e rëndë.
Tahirllari ka qenë pjesë e moshave të ekipit të Skënderbeut. Lojtari pjesë e ekipit U-17 të Skënderbeut ishte nga fshati Dvoran i Korçës. Ngushëllimet për të i ka shprehur jo vetëm Skënderbeu, por edhe të tjera klube shqiptare e ndjekës të tyre në rrjetet sociale.
Nuk ia dole të rikthehesh në fushë por do të mbetesh gjithmonë në zemrat tona sepse ti je shpirti i luftës, sakrifices dhe dëshirës për të jetuar.Prehu në paqe Dorian! ❤️
Geplaatst door KF Skënderbeu op Zondag 31 mei 2020
Po ashtu edhe Armand Duka, presidenti i FSHF-së ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Dorian Tahirllarit:
“Thellësisht i tronditur mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të futbollistit të Skënderbeut, Dorian Tahirllari. Një ndarje e dhimbshme, e cila preu në një moshë të re, jetën dhe ëndrrat e tij rinore. Dua t’i përcjell familjes, ngushëllime të thella për këtë humbje të rëndë. I gjithë komuniteti i futbollit, sot me lot në sy nderon kujtimin e këtij djaloshi të mirë që dëshironte shumë të bëhej futbollist i njohur, ndërsa sot udhëton drejt parajsës. Lamtumirë Dorian!”
/News31.al