FOTO+VIDEO/ Policja e Elbasanit që jeton me një gjarpër
Të kesh për kafshë shtëpiake, një gjarpër. Mund të duket diçka e pamundur por jo për Anisën. Ajo është police, në qytetin e Elbasanit. Nëse mendoni se armët janë hobi dhe pasioni i saj, e keni gabim. Gjarpri është miku më i mirë i polices.
“Unë e kam si anti-stres këtë, më kënaq”, shprehet nënkomisarja Anisa Kostani.
Bashkëjetesa e tyre ka nisur prej 3 mujash. Të voglit të saj, ashtu siç ajo e quan, nuk i mungon asgjë. Nën-komisarja është tepër e kujdesshme ndaj tij.
“Nuk është e shëndetshme që të qëndrojnë jashtë vivariumit të vetë më shumë së gjysmë orë, mund ti shfaqet ndonjë sëmundje dhe këtu nuk kam se ku e çoj kur të më sëmurët ndaj tregohem shumë e kujdesshme në këtë pjesë, sepse e di që do më duhet ta çoj jashtë shtetit pastaj”, tregon ajo.
Anisa tregon se gjarpëri ka ardhur nga Kolumbia. Tani që është i vogël gjatësia e tij është 1 metër e 20, ndaj dhe ndërrimi i lëkurës ndodh më shpesh. Ai është Boa mashkull, mund të jetojë deri në 25 vite dhe gjatësia e tij shkon deri në 2 metra e gjysme.
“Ushqehet me minjë të ngrirë një herë në javë, para disa ditësh ka ndryshuar lëkurën ky proces zgjat nga 1 deri në 2 javë. Fillon i zbehet lëkura, i zbehet shikimi dhe më pas brenda 72 orëve ai mund të ketë përfunduar procesin. Ndërkohë nuk duhet prekur nuk duhet nxjerrë nga vivariumi dhe nuk duhet ushqyer”, shprehet ajo.
Të kujdesesh për një gjarpër, kërkon dhe njohuri të mira, për ta kuptuar se kur ai është i stresuar. 27 vjeçar ja tregon se nëse Prada, merr formën e shkronjës S, atëherë është momenti për ta vendosur në ambinetin e tij. Megjithatë gjarpëri nuk është kafsha e vetme që ajo ka në shtëpi.
“Kam 3 mace dhe 1 qen, macet kanë dhomën e tyre, macet tentojnë i qëndrojnë gjithmonë tek xhami vivariumit. Janë kurioze dhe munden ta ngacmojnë”, thotë ajo.
Nënkomisarija shprehet se në të ardhmen do të marrë një tjetër gjarpër të këtij lloji, ku një faqe e murit të shtëpisë së saj, do jetë e dedikuar vetëm atyre. /Marrë nga Euronews