(Fotot) Protesta ndryshe/ Nuset janë gati, por pandemia i pengon të martohen
Meloditë e dasmave po luhen, vellot e bardha janë veshur dhe makiazhi duket për mrekulli, por këto nuse nuk kanë një ceremoni për të marrë pjesë.
Pandemia koronavirus ka bërë që dasmat në të gjithë botën të anulohen ose shtyhen, disa nga izolimi dhe të tjera për shkak të distancimit social dhe rregullit për një numër të kufizuar të ftuarish.
Kjo ka prishur planet e shumë çifteve dhe për pasojë ditën më të bukur të tyre. Një grup nusesh të zemëruara nga këto zhvillime zhvilluan një protestë të veçantë në Romë të Italisë, pranë “Fontana di Trevi”, kundër efekteve të pandemisë.
“Jam këtu për të protestuar pasi duhej të martohesha këtë vit, por nga pandemia nuk mund të gjeja një restorant, kështu që isha e detyruar ta shtyja për vitin tjetër. Shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë dhe të martohem vitin tjetër”, u shpreh një nga protestueset.
Dasmat u lejuan sërish të mbaheshin në Itali që prej 18 majit, por me shumë pak të ftuar. Mbajtja e maskave është e detyrueshme për të gjithë, madje edhe për çiftin, ndërsa nuk lejohet hedhja e buqetës apo orizit tradicional si dhe shoqërimi i nuses krah për krah nga babai në altar për shkak të distancimit social.
Top Channel