FOTOT E RRALLA/ Nga Valbona Selimllari tek Valbona Çoba, si u “masakruan” bukuroshet e Miss-it të parë shqiptar nga fotografi grek

Marsi i 1992. Ditë e ftohtë. Shumë e ftohtë. Pjesa më e madhe e një grupi vajzash, të gjitha të bukura edhe ashtu “ujë e sapun”, të veshura me pallto të trasha, i binden një fotografi i cili akoma nuk ishte as mesoburrë. I bindeshin magjisë se një aparati fotografik profesional “Laica”, aq sa dhe ëndrrës së tyre…
Ai rreth të 40-ave, vajzat as sa gjysma e tij.

Pasi kanë marrë guximin të thyejnë një tabu dhe të konkurojnë në të parin Miss në Shqipëri, duke dalë sy botës më shumë zhveshur se veshur dhe “pu pu pu” edhe me rroba banjo, vajzat pranojnë ftesën për të pozuar për herë të parë për një revistë, ndërkohë që merrnin pjesë në konkursin e parë të bukurisë të zhvilluar në vendin tonë.

Të paktën kështu pretendon fotografi, i cili është pjesë e njerës prej agjencive më prestigjioze botërore të fotografisë, asaj “Magnum”. Ai është fqinji ynë (ndoshta pak paragjykues), greku Nikos Ekonomopoulus.

Në objektivin e tij pozojnë vajza të bukura. Mes tyre edhe dy prej atyre që ende edhe në këtë kohë duken si të pamosha, bukuroshe që duken se vitet i “kanë gozhduar” në rininë e tyre të parë. Shkëlqen në njërën prej fotove profili i Valbona Selimllarit, e cila gjendet nën përqafimin e një tjetre konkurenteje, emri i të cilës ka humbur me kohën, por imazhi i saj jo. Apo në një foto tjetër shquhet lehtësisht dhe ikona tjetër e bukurisë Valbona Çoba…

Fotot bardhë e zi duket se janë konceptuar nga autori si një mundësi për të sjellë dhe një copëz Shqipëri të 1992, përvec bukurisë së vajzave. Në fakt kjo e dyta duket sikur ka qenë më shumë qëllim. Në asnjë prej fotove nuk ka pozim miss-esh, përkundrazi…

Aty më shumë se vajzat bie në sy Shqipëria e leckosur postkomuniste dhe personazhe gati-gati të çuditshme. Fëmijë, pleq, njerëz të shtrirë në tokë, të tjerë në pritje të kushedi se kujt apo çfarë… Dhe në një “cep” të vëmendjes, edhe vajzat konkuruese në Miss.

Në përshkrimin e fotos ku duket një pjesë e profilit të Selimllarit, Ekonomopoulus shkruan:

Pjesëmarrëse në konkursin e parë të bukurisë, “Miss Albania”, të mbajtur ndonjëherë në vend duke u fotografuar për një revistë. 1992.”

Dhe sipër kokave të tyre bie në sy një ri “i çartur” që duket se kërcen me erën…

Ndërsa në foton ku është përjetësuar buzëqeshja magjike e Valbona Çobos, “shndrit” edhe një burrë i zbathur.

Nuk duken larg të njëjtit koncept edhe fotot e tjera, kur njëra prej tyre duket si simbol i shprehjes popullore “hedh një i marrë një gur në ujë dhe sulën 100 të mençur që ta nxjerrin”. Aty për karshi duket edhe një buzë e syqeshje e pafajshme e njërës prej vajzave konkuruese në Miss.

Ndërsa fotoja e fundit që gjendet akoma e kësaj ditë në arkivat e Magnium i përket një konkurrenteje bionde, e cila ndan hapësirën e pak centimetrave foto me nje statujë sportisti të laskaruar dhe me dy persona që vetëm fotografin nuk prisnin në ato momente.
Vajzat e 1992 aq të bukura, aq të gjalla, por Shqipëria aq e trishtë, e hutuar, dhembje…

Nuk dihet se ku mund te jenë publikuar këto foto. Në kohën që janë bërë autori kishte vetëm 4 vite që kishte braktisur çdo gjë për t’iu përkushtuar fotografisë. Ai më pas është kthyer edhe shumë herë në tjera në vendin tonë për të mbuluar shumë ngjarje që kanë shënjuar historinë tonë si popull e komb. Shumë prej fotove të bëra në vendin tonë duket se edhe i kanë sjellë sukses më pas Nikos Ekonomopoulus, i cili njihet gjerësisht në botën e artit të fotografisë si njëri ndër fanatikët e fotove bardhë e zi dhe ndoshta një ndër të fundit që ka hequr dorë vetëm këto vite e fundit nga dashuria e tij për këtë lloj fotografie dhe ka nisur që të fotografojë edhe me ngjyra.

P.S: Një ndjesë dhe një lutje. Ndjesë shumë të sinqertë vajzave që nuk i përmendet emri në këtë shënim. Ndërsa lutja i shkon gjithkujt që i njeh këto amazona te bukurisë shqiptare që të na shkruajnë diçka rreth identitetit të vajzave nga ne ta paidentifikuara dot. (JOQ)