FOTOT/ Alketa Vejsiu zbulon suprizat e festivalit të RTSH-së; Giusy Ferreri, Mahmood dhe Eleni Foureira, të ftuarit BIG
Nga pozitat e producentes dhe moderatores, Alketa Vejsiu i ka dhënë një intervistë të detajuar Enit Shehut, ku ka zbuluar ç’do të ndodhë në këtë edicion të Festivalit të Këngës në RTSH. Edhe këtë vit s’mund të ndodhte ndryshe.
Sapo janë mësuar këngëtarët, kanë nisur të diskutohen edhe emrat e fituesve, por edhe mjaft polemika, që tashmë të gjithëve u duken normale për festivalin. E pyetur nga Eni Shehu edhe për këtë tymnajë polemikash që ka nisur të përflitet prej disa ditësh në media, Alketa Vejsiu e ka një përgjigje të prerë se s’ka vend për abuzim.
“Mua nuk më vjen mirë vetëm për një gjë, kemi zgjedhur gjithmonë të mos e ushqejmë polemikën, sepse polemikat e marrin gjithmonë festivalin me vete. Nuk kemi ardhur për të abuzuar me fondet e shtetit, ky është një festival publik ku gjithçka është e kontrolluar nga shteti. Unë e kam thënë edhe publikisht që kam qenë e painteresuar për para, jo se nuk kam nevojë, sepse e kam prodhuar paranë me shumë guxim dhe kam respekt për çdo qindarkë. Ishte një zgjedhje kjo për të dhënë një model që mund të vlerësohet, mund të mos vlerësohet, por kjo nuk ka rëndësi. Në fund të ditës, unë kam thënë që ato pesë lekë që janë për festivalin, le të shkojnë për të mbyllur një problematikë të vogël, që ky festival të jetë 0.1 për qind më i mirë. Kjo duhet sqaruar. Këtu nuk ka pasur vend për abuzime; funksionon shteti, funksionon festivali…”, tha Alketa.
Duke komentuar edhe diskutimet që janë bërë gjerësisht në media javët e fundit, Vejsiu shtoi: “Diskutimi tjetër, kam përshtypjen se vjen nga një mungesë vlerësimi dhe mirënjohjeje e shqiptarit për shqiptarin. Shqiptari duhet ta vlerësojë njeriun e punës dhe t’i thotë bravo.
Vera Grabocka ka treguar ndër vite që është e aftë t’i marrë malet, t’i tundë dhe t’i lëvizë, i ka kushtuar jetën, është legjendë e televizionit, ka dalë gjithashtu nga radhët e RTSH-së, kështu që pak më shumë respekt. Meritë e Verës është të heshtë, sepse Vera nuk del në ekran…. Nuk po e bëjmë këtë festival për të marrë trofe, por po e bëjmë sepse duam ta bëjmë, sepse e dashurojmë dhe do ta bëjmë shumë mirë. Eksperienca bën perfeksionin. Ky nuk është festivali i Alketës dhe i Verës, ne jemi thjesht të përkohshme, jemi një stacion, do të vijë dikush tjetër vitin tjetër”, pohoi moderatorja.
Alketa zbuloi të ftuarit specialë të Festivalit 58, që janë yjet që pushtojnë skenat botërore. Në prononcimin e saj për “Aperitiv Fest” me Eni Shehun, Alketa Vejsiu zbuloi disa prej surprizave që do ta shoqërojnë këtë vit festivalin veç konkurrentëve në garë.
Siç tha ajo, festivali nuk mund të largohet nga tradita, por ai gjithashtu do të shoqërohet nga një frymë e re, e cila me siguri do të përcjellë te publiku një festival më të mirë. Alketa zbuloi edhe emrat big që mendohet se do të jenë të ftuar gjatë tri netëve të këtij festivali.
“Muzika shqiptare është zemra e këtij festivali, do këndohet shqip, do flitet me dashuri për gjuhën shqipe përmes poezisë dhe poetëve shqiptarë, por do ketë edhe të ftuar nga jashtë. Giusy Ferreri për shembull, do të jetë një nga të ftuarat e festivalit. Po kështu edhe Mahmood, fituesi i Sanremos dhe përfaqësuesi i Italisë në Eurovision”, tha Alketa. E ftuara tjetër speciale e këtij festivali është edhe Eleni Foureira, fituesja e çmimit të dytë të Eurosong vitin e kaluar, këngëtarja me origjinë shqiptare që ndezi flakë skenën europiane. Të tjera surpriza, pa dyshim që do të ketë shumë, por do të zbulohen në ditët e ardhshme./PANORAMAPLUS.al