FOTO/ U largua në moshën 4-vjeçare prej Lushnjës, reportazh nga shtëpia ku lindi Rei Manaj. Si e kujtojnë fqinjët sulmuesin aktual të Barcelonës
Në Lushnjë mburren me djalin e tyre, Rei Manajn, që arriti të jetë pjesë e një klubi të madh si Barcelona. Sulmuesi ka bërë shumë krenar qytetin futbolldashës, aq më tepër që këto ditë Rei është në qendër të vëmendjes, pasi ka arritur të federohet zyrtarisht me ekipin e parë katalanas.
Ky është pallati ku ka qëndruar Manaj deri në moshën 4- vjeçare në qytetin e Lushnjës, pikërisht në lagjen “Skënder Libohova”, rruga “Misto Mame”. Në katin e 5-të të këtij pallati, sulmuesi dhe familja e tij qëndroi deri në vitin 2001, për t’u larguar më pas drejt Italisë. FOTOT: A.ALUSHI
Por çfarë e lidh ende Manajn me Lushnjën? Ku ka banuar familja e tij dhe vetë Rei në qytetin që shquhet për pasionin që ka për futbollin? “Panorama Sport” ka vizituar dje pallatin ku Manaj hodhi hapat e parë në jetë.
Familja e tij ka banuar në një pallat pesëkatësh, pikërisht në rrugën “Misto Mame” të lagjes “Skënder Libohova”.
Rei ka lindur më 24 shkurt 1997 në maternitetin e spitalit të Lushnjës dhe larguar nga ky qytet në moshën 4-vjeçare, pikërisht në vitin 2001, kur familja e tij vendosi të emigrojë në Itali për t’u mos u kthyer më në Shqipëri.
Babai i tij Hajro Manaj dhe mamaja Eli Manaj kanë nostalgji për vitet e jetuara në Lushnjë.
Rruga që të çon te shtëpia e Manajt në Lushnje
Banorët më të vjetër të pallatit ku ka qëndruar Rei deri 4 vjeç e mbajnë mend sulmuesin aktual të Barcelonës si një djalë shumë të shkathët që i vogël.
Ndërsa e veçanta është se Manaj, sa herë vjen në Shqipëri, nuk harron të kthehet aty ku lindi.
“Po, po. Ka ardhur shpesh dhe ka takuar shokët e lagjes te lokali i Zanit”, tregojnë banorët.
ALBAN ALUSHI/ PANORAMA SPORT