FOTO/ Titujt e Sitit dhe Milanit qartësojnë Ligën e Kampioneve. Interi përfundon në vazon e tretë në short, superfuqi në të dytën

Titujt kampion të fituar sot nga skuadra e Mançester Sitit dhe Milanit, përkatësisht në Angli dhe në Itali, kanë qartësuar edhe disa dyshime që kishte rreth përbërjes së vazove të ndryshme në shortin e grupeve për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve.

Meqenëse gara u vendos në fund në të dy kampionatet dhe fituesi në të dy rastet do të përfundonte në vazon e parë, pavarësisht koeficientit personal të klubit, ishte e paqartë se si do të ndaheshin vazot me shumë kombinime.

Fitorja e Milanit dhe e Sitit thuajse ka plotësuar vazon e parë, me 7 skuadra që dihen, të cilave do t;u bashkohen Liverpuli ose Ajaksi në varësi të faktit nëse ekipi anglez fiton apo jo Ligën e Kampioneve. Nëse ia del, qëndron në vazon e parë, dhe holandezët janë ata që shkojnë në të dytën ku gjenden gjithashtu emra shumë të mëdhenj si Barcelona, Çelsi, Juventus apo Atletiko Madrid.

Edhe vazoja e tretë ka skuadra të njohura, pasi atje është Borusia Dortmund, por edhe Interi e Napoli për shkak të koeficientit personal që kanë. Edhe në vazon e 3 dihen 7 nga 8 skuadrat, me emrin e fundit që do të shtohet në varësi të ekipeve që dalin nga kualifikueset. Pjesa tjetër i bashkohen Sëlltikut e Bryzhit që janë dy emrat e njohur nga vazo 4.

PANORAMASPORT.AL