Foto/ Njihuni me skulptorin që prodhon kukulla që duken pothuajse reale

Michael Zajkov është një artist shumë i talentuar nga Rusia. Kukullat e tij magjike që i krijon vetë do t’ju impresionojnë, sepse duken shumë reale.

Ai ka arritur të mbledhë mbi 1 milion ndjekës, të cilët e admirojnë procesin që ai ndjek për të prodhuar këto kukulla, shkruan “Bright Side”.

Krijimi i çdo kukulle nis me kërkimin e një imazhi të caktuar e më pas me skicimin e tij.

Artisti më pas nis të punojë kokën, në majë të së cilës shton shtresa të shumta balte, duke krijuar struktura hiper-realiste dhe korrekte për nga anatomia. Sytë e kukullave bëhen me dorë në Gjermani nga Lauschaer Glasaugen.

Michael pikturon fytyrat e kukullave duke shtuar të gjitha detajet në vendet e duhura, si tek vetullat, buzët, veshët, dhe secili prej tyre kërkon shumë durim, në mënyrë që punimi t’i afrohet sa më shumë reales.

Flokët e kukullave bëhen me anë të leshit “Mohair” me cilësi të lartë, duke imituar në mënyrë të përsosur flokët e njeriut. Michael vendos çdo fije floku me dorë.

Kukullat kanë një gjatësi afërsisht 70 cm. Secila prej tyre ka 13 nyje të lëvizshme, që i bëjnë të duken më të gjalla kur ndryshojnë pozicion.

Ndërsa veshjet e kukullave janë bërë nga stilistja Irina Kuzyomina. Ajo përdor pëlhura antike dhe dantella franceze për t’i realizuar ato.

Panorama.al