Foto ekskluzive/ Alban Bushin e lënë nervat, shikoni se si trajneri i Kombëtares shqiptare i vërsulet arbitrit

A është normale që në një ndeshje moshash për kampionatin U-19 të Shqipërisë, trajneri i Kombëtares U-21 të futet në fushë dhe të debatojë me arbitrin?! Kjo ka ndodhur dje me Alban Bushin, të cilin e kanë lënë nervat dhe për të mbrojtur interesat e Akademisë së Futbollit (ekipi privat që ka në pronësi), është futur në fushë dhe ka debatuat me gjyqtarin Fation Xhemalaj.

Bëhet fjalë për ndeshjen Akademia-Partizani, e vlefshme për “play off” të kampionatit U-19, e cila përfundoi me penallti pas rezultatit 1-1 për 90 minuta. Akademia e Bushit triumfoi më pas me penallti me shifrat 7-6, duke u kualifikuar për në finalen e kësaj grupmoshe. Ndeshja u luajt dje në Pezë dhe ajo që bëri më shumë përshtypje ishte sjellja e trajnerit kuqezi, i cili ishte i regjistruar si zyrtar i Akademisë.

Në minutën e 75-të ai debatoi ashpër me arbitrin Xhemalaj, teksa ky i fundit e ndëshkoi edhe me karton të verdhë. Bushi u fut në fushë dhe më pas ishte delegati Eduard Gjini që u mundua ta qetësonte. Kjo situatë e tensionoi edhe më shumë ndeshjen, pasi më pas gjyqtari ndëshkoi me të verdhë për protesta edhe trajnerin e Partizanit U-19, Reinaldo Kalari.

PANORAMASPORT.AL