FOTO/ 11 vite pritje, në Itali festojnë për Milan: “Djallëzor”

11 vite pritje për të kaluar në fazën çerekfinale. Milan e kthen në festë transfertën londineze, dalin të pamposhtur përballë Tottenham duke siguruar biletë mes tetë më të mirëve në Evropë, në fakt për tifozët kuqezi dukej një përjetësi. “Djalli” nuk vodhi asgjë, ekipi i Piolit ishte thuajse perfekt, nuk i lejuan asgjë rivalëve të tyre, ndërsa ishin jo pak kërcënues në fazën sulmuese, prodhuan më shumë, por nuk ishin të qartë në finalizim.

Në fraksionin e dytë, pas minutës së 77-të, Tottenham mbeti me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Romero-s, i dytë i verdhë pas një faulli ndaj Theo Herandez. Me një kundërsulm të shpejtë, Origi goditi shtyllën pingule, ndërsa në limitet e shtesës ishte Maignan që ndali Harry Kane duke bërë që sfida të mbyllej në barazim pa gola. Kuqezinjtë i falen suksesit 1-0 në “San Siro”, në sfidën e parë, ndërsa festojnë me të drejtë, ky ishte një objektiv i rëndësishëm, për prestigj dhe për arkat e klubit:

“Mbreti Milan” shkruan La Gazzetta në faqen e parë. “Djallëzor”, ishte titulli i përzgjedhur nga Corriere dello Sport.

(BalkanWeb)