FORMACIONI I MUNDSHËM/ Veseli në vend të Ismajlit, Reja ka dy dilema për ndeshjen me Bjellorusinë

Shqipëria do vendin e parë në grupin C4 të Ligës së Kombeve. Për këtë objektiv, skuadra e drejtuar nga Edi Reja, përveçse duhet të mposhtë vështirësitë prej Koronavirusit, i duhet të përballet me mungesa ndaj formacionit Bjellorus. Dje, skuadra përfaqësuese, për rreth dy orë ka fluturuar për të mbërritur në Minsk, ku sot do të kryejë stërvitjen zyrtare para sfidës së nesërme në stadiumin e Dinamos së Minskut.

MUNGESAT – Për këto dy përballje, Reja kishte ftuar 28 futbollistë, me të tjerë në listën e pritjes. Që në start, Ermir Lenjani dhe Florian Kamberi nuk mbërritën për shkak të regjimit të karantinës që duhet të kryejnë në Zvicër. Gjithashtu, një nga lojtarët më në formë të këtij sezoni, Marash Kumbulla, rezultoi i dëmtuar. Armando Broja, në këtë ndeshje nuk mund të jetë për shkak të një kartoni të kuq në ndeshje zyrtare me përfaqësuesen U-19. Dje, në listën e mungesave u shtuan edhe Ardian Ismajli, Hysen Memolla dhe Ylber Ramadani.

FORMACIONI – Mbrojtja bëhet reparti me më shumë mungesa. Në Minsk, pritet që trajneri të vendosë treshen Gjimshiti, Veseli dhe Dermaku, të rreshtuar para portierit që me gjasë nga starti do jetë Strakosha. Në mesfushë, “gladiatori” Gjasula me “pitbullët” Keidi Bare dhe Amir Abrashi mund të kenë në mbështetje kapitenin Hysaj dhe një mes Trashit dhe Roshit në të majtë. Në sulm, Cikalleshi duket se ofron garancinë që kërkon trajneri por i gatshëm është edhe Armando Sadiku. Bashkë me njërin prej tyre, Manaj shihet si më i sigurt për fanellën e titullarit. Kjo, në bazë të asaj çfarë është provuar nga trajneri.

OBJEKTIVI – Edi Reja, në daljen e tij para mediave e konfirmoi se edhe në bisedën me presidentin e FSHF-së, kishin diskutuar se vendi i parë është objektivi për kuqezinjtë në këtë edicion të Ligës së Kombeve. Për këtë, Shqipëria duhet të triumfojë mes kaosit në Bjellorusi, shkaktuar nga protestat e opozitës kundër presidentit Lukashenko.

DIFERENCA – Vlera e Shqipërisë sipas “Transfermarkt” është 101.83 mln euro, në raport me 11.8 të përfaqësueses bjelloruse. Diferenca të frikshme, teksa kuqezinjtë janë afërsisht 8.6 herë më të shtrenjtë.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL