Forca kryesore e suksesit të ONE buron nga njerëzit
ONE Telecommunications është një kompani që mes 400 punonjësish, shumica janë profesionistw dhe madje, disa të rritur me kalimin e viteve brenda së njëjtës kompani. Duke qenë në një industri specifike, siç është telekomunikacioni, ONE është një mundësi e mirë për t’u zhvilluar profesionalisht në fushën e teknikës. Me investimet e reja në rrjet dhe fokusin e saj primar në përmirësimin e shërbimeve teknike, ONE është kthyer në një terren sfidues që çdo profesionist ambicioz në fushën e teknologjisë do donte të ishte pjesë. Por, me ndryshimin në menaxhim, edhe sektorët e tjerë e kësaj kompanie të madhe ofrojnë rrugëtime shumë interesante si për stafin ekzistues, ashtu edhe për ata që dëshirojnë të vazhdojnë karrierën e tyre në ONE.
Të shtyrë nga kurioziteti se si funksionojnë politikat e brendshme për të tërhequr talente të reja dhe për të rritur profesionistët ekzistues, kemi intervistuar Menaxheren e Burimeve Njerëzore të ONE, Marinela Benga.
Marinela, si do ta përshkruaje rrugën tënde nga fillimi i karrierës deri në postin e tanishëm?
Unë tashmë numëroj 18 vite në këtë kompani dhe mund të pohoj se kam qenë pjesë e gjithë evoluimit të saj, ndërsa ONE Telecommunications hyn në vitin e dytë të menaxhimit nga aksionerë shqiptarë në zotërim të shumicës së aksioneve. Drejtuesit e sotëm kanë besuar te talentet brenda kompanisë dhe u kanë krijuar hapësirën e nevojshme për të treguar aftësitë profesionale. Kjo mundësi m’u dha edhe mua. Unë e dua punën time; çdo ditë besoj se mund jap edhe më shumë. Nëse shtojmë dhe përkushtimin e përpjekjet nga ana ime, mendoj se është rruga e duhur për të arritur synimet në karrierë.
Cila janë sfidat e pozicionit tënd?
Sfida më e madhe është të mos humb besimin që kanë kolegët tek unë. Profesionisti i burimeve njerëzore dëgjon zërin e punonjësve, vlerëson rrethanat, sugjeron zgjidhje dhe ndërmerr hapa konkretë. Dhe të gjitha këto veprime duhen kryer në çastin e duhur, idealisht duke u paraprirë situatave. Nëse humb ritmin, ke humbur besimin e atyre që të rrethojnë.
Një tjetër sfidë personale për mua është të gjej mënyra për t’i kushtuar kohë secilit punonjës dhe kur kjo nuk është e mundur, të marr pjesë në aktivitete të ndryshme në nivel grupi punonjësish. Ndihma për kolegët e dyqaneve ONE gjatë një dite pune është kthyer tashmë në një praktikë të rregullt për mua dhe drejtues të tjerë në kompani.
Nga ana tjetër, jam përherë e gatshme të dëgjoj këdo nga punonjësit dhe i ftoj vazhdimisht të ndajnë shqetësime apo propozime që mund të kenë. Një nga vlerat e ONE është të qenit miqësor dhe ne e fillojmë pikërisht nga vetja.
Çfarë synon ONE Telecommunications për punonjësit që ka sot dhe që mund të ketë nesër?
Njëri prej dy objektivave madhorë të ONE Telecommunications është të bëhet punëdhënësi më i mirë në vendin tonë. Me këtë kuptojmë stimulimin e talenteve që janë sot pjesë e kompanisë, me ndihmën e paketave të benefiteve, trajnimeve të profilizuara dhe kualifikimit të vazhdueshëm profesional. Ne kemi filluar zbatimin e idesë së shpërblimit të punonjësve sipas arritjeve të secilit, kemi krijuar kushtet për një kulture pune ku gjithkush shpreh ide të reja apo edhe mënyra për të përmirësuar proceset ekzistuese. Te burimet aktuale të kompanisë duhet përmendur një numër punonjësish që kanë shoqëruar ndryshimet teknologjike ndër vite dhe zotërojnë ekspertizë të pakrahasueshme në treg, si edhe shumë të tjerë, më të rinj, që janë duke i jetuar ditë pas dite investimet e mëdha që po bëhen sot në kompani dhe që do të ndryshojnë profilin teknologjik të saj.
Në të njëjtën kohë, kemi afruar edhe mjaft punonjës të rinj, madje edhe studentë në fundin e studimeve universitare. Këta kanë edhe përparësinë e bagazhit profesional të njohurive praktike që ua vënë në dispozicion kolegët. Vlen të them që ONE Telecommunications e mbajti të pacënuar ritmin e rekrutimit sipas planit edhe gjatë muajve të pandemisë.
Patjetër që pandemia do të ishte pjesë e kësaj bisede. Si ndikoi kjo periudhë e pazakontë te punonjësit dhe politikat e punësimit të ONE?
Natyrisht, përparësi absolute i dhamë shëndetit të punonjësve dhe familjeve të tyre. Në zyrat dhe dyqanet tona mbeti vetëm një numër tepër i vogël punonjësish, i domosdoshëm për funksionimin normal të punës. Zbatuam menjëherë protokollet e punës nga shtëpia që, me qasjen profesionale të kolegëve dhe zgjidhjet përkatëse teknike, rezultoi e suksesshme. Sot vazhdojmë të punojmë me masat e nevojshme për parandalimin e infektimeve.
Ne në ONE Telecommunications e kemi thënë vazhdimisht se 2020 do të ishte viti i investimeve të mëdha në infrastrukturën e rrjetit dhe të pajisjeve tona. Fillimi i gjendjes së jashtëzakonshme na gjeti me planet tona të nisura tashmë të projekteve teknologjike, për të cilat arritëm të shtonim numrin e punonjësve tanë gjatë gjithë vitit që kaloi. Gjithashtu, ne vazhduam marrëdhëniet normale me partnerët tanë të biznesit, duke dhënë sadopak kontribut jo të drejtpërdrejtë në personelin e kompanive bashkëpunëtore. Më pëlqen të shprehem se kemi dhënë një shembull të mirë duke ruajtur standartet për punonjësit që kishim dhe madje duke punësuar edhe të tjerë gjatë periudhës më të vështirë.
Si do ta përshkruaje rrugëtimin e një punonjësi brenda kompanisë ONE?
Fillon me vlerësimin dhe intervistimin e kandidatëve të mundshëm. Ne rekrutojmë profesionistë të industrisë nga tregu, ashtu si edhe të rinj që sapo janë diplomuar ose kanë kryer praktikën mësimore tek ne. Profesionistët janë ata që do të drejtojnë procese të rëndësishme dhe do të sjellin me vete praktika të ndryshme, për t’i harmonizuar me proceset tona të brendshme. Këtu përfshijmë edhe punonjësit tanë të sotëm, të cilat përbëjnë një nga përparësitë tona konkurruese më të forta në sektor. Në bazë të progresit të strukturave që kryesojnë dhe të suksesit të projekteve të tyre, këta ngjitin shkallët e karrierës.
Ecuria është disi më sistematike në rastin e atyre që janë ende në hapat e parë të përvojës profesionale. E fillojnë me nivelin “junior” ose “specialist”. Me kalimin e kohës, rriten në detyrë dhe kjo kategori ingranohet në skemën e përgjithshme të karrierës në ONE.
Natyrisht, në përditshmërinë tonë secili është në marrëdhënie të ndërsjelltë me kolegët dhe kushdo ka kontribut për të dhënë, në përvojë pune, në mentalitet, në ide të guximshme, por dhe në kujdesin për të ruajtur pozicionin tonë në treg.
Çfarë e bën më konkretisht të ndihet i vlerësuar një punonjës të ONE?
Të gjithë punonjësit ONE përfshihen në skemën vjetore të shpërblimeve. Në të njëjtën kohë, punonjësit mund të shpërblehen individualisht për arritjet personale gjatë vitit. Në nivel grupi pune, ne vlerësojmë çdo tremujor edhe personat që kanë spikatur në krye të një projekti në grup dhe kanë shërbyer si shembull për të tjerët.
Ne zbatojmë sigurimin e shëndetit dhe të jetës për të gjithë personelin. Ofrojmë një kuotë vjetore të cilën punonjësit zgjedhin ta marrin në formën e shërbimeve për mirëqenie fizike dhe mendore, pajisje teknologjike ose produkte utilitare.
Në këndvështrimin profesional, organizojmë trajnime sipas departamenteve të ndryshme, por edhe trajnime specifike që certifikojnë punonjësin si individ dhe zhvillojnë profilin e tij profesional. Këtu përmend kualifikimet AÇA, kualifikimet për ISO të ndryshme, si ato për Kryqin e Kuq.
ONE është në fillim të udhëtimit për t’u bërë operatori i preferuar i shqiptarëve dhe punëdhënësi më i mirë në vend, kështu që gjithçka evoluon dhe nuk do ndalemi së bëri çdo ditë më mirë.