Floriana Garo zhvishet në muajin e tetë të shtatzënisë: Nuk kam marrë mbiemrin e burrit, vajza dua të më ngjajë mua

1519493927782-1

Pasi është larguar nga televizioni, Floriana Garo kanë nisur një jetë të re në Gjenevë të Zvicrës në pritje të fëmijës së saj të parë. Me nëj set fotosh të reja ku ekspozon barkun e rrumbullakosur në muajin e tetë të shtazënisë, Floriana rrëfen për “Who” jetën e re me partnerin Enis, vajzën që do të vijë në jetë, dasmën madhështore pas një viti, bizneset që ka hapur dhe rikthimin në televizion.

Floriana, cilat janë përjetimet e këtyre ditëve?

Këto ditë po e ndjej tamam rëndesën e shtatzënisë. Mezi vesh çorapet dhe këpucët, lodhem shpejt kur eci dhe nuk qëndroj dot gjatë edhe e ulur në karrige. Kam siklete nga më të ndryshmet dhe shpërthime hormonale të çuditshme. Nuk tingëllon si diçka shumë e ëmbël dhe glamour sepse nuk është, por tani lëvizjet e bebes më japin më shume emocion se kurdoherë më parë dhe kam filluar ta përfytyroj si do jetë jeta ime dhe e tim shoqi bashkë me të.

Pse e fshehe muajt e parë shtatzëninë?

Sepse jam supersticioze (buzëqesh)… Sepse mendoja që gjithçka mund të ndodhte në muajt e parë dhe doja të isha e qetë, jashtë vëmendjes së njerëzve për këtë rast. Doja ta kuptoja dhe ta pranoja si fillim vetë dhe më pas me njerëzit e mi të afërt, e më pas edhe me të tjerët.

Kujt ia the në fillim, sapo e mësove?

Mamit. Ajo pastaj ia tha babit. Të dy u lumturuan shumë. Kanë dashur gjithmonë që unë të bëhesha nënë dhe të kisha një familje timen. Ata më kanë mësuar që fëmijët janë boshti dhe kuptimi i jetës.

Çfarë tha Enisi kur ia dhe lajmin?

Enisi u lumturua shumë. Ishte emocion i madh për të dy, edhe pse akoma ndonjëherë na duket e pabesueshme. Të dy e duam një familje të madhe.

Po prindërit Enisit si reaguan kur e mësuan?

Nënës së Enisit ia kam thënë vetë e para dhe ajo u emocionua aq shumë që do bëhej gjyshe sa madje edhe u përlot. Po hanim mëngjes bashkë në Shqipëri, ditën që do shpërngulesha në Zvicër dhe gëzimi i saj më bëri edhe mua shend e verë.

Ç’marrëdhënie ke ti me prindërit e Enisit, veçanërisht me vjehrrën?

Marrëdhëniet me vjehrrat gjithmonë janë delikate sidomos në fillim. Por çdo nënë do më të mirën për djalin e saj. Një grua e zgjuar e vlerëson një nuse që e bën djalin e vet të lumtur dhe i lë çiftit hapësirën e nevojshme për ta ndërtuar më së miri marrëdhënien. Unë dhe nëna e Enisit kuptohemi shumë mirë për këtë dhe jemi të afërta si të ishim mikesha. Ajo është ende shumë e re dhe ne mund të flasim lirshëm me njëra-tjetrën. Jam e bindur se lidhja jonë e afërt do vazhdojë të thellohet akoma më shumë me kohën.

Thonë se shtatzënia i ndryshon zonjat, çfarë ka ndryshuar tek ty? Ka ndryshuar mendimi i parë dhe i fundit i ditës?

Mua shtatzënia më ka ndryshuar fizikisht sigurisht, por ende jo kaq shumë shpirtërisht. Une e kam thënë shpesh që jetoj në të tashmen dhe e jetoj çdo moment për atë që është. Nuk jam natyrë ëndërrimtare. Kur bebja të vijë në jetë, sigurisht gjithçka do ndryshojë po tani jam po prapë unë, teksa përjetoj gjithë ndryshimet e kësaj jetës sime të re në Zvicër, me punët që kemi këtu dhe me përshtatjen në një ambient të ri.

Do vijë nëna jote ose e tij të të ndihmojë gjatë muajve të parë?

Po, prindërit e mi do vijnë nga Amerika të qëndrojnë disa kohë me mua. Duke qenë se është mjeke gjinekologe, prezenca e mamit tim do të më qetësojë shumë. Pastaj më ka marrë malli për ta, mezi po i pres. Edhe mamaja e Enisit sigurisht që do jetë prezente.

E ke menduar të vish në Shqipëri pas lindjes?

Nëse gjithçka është mirë, me shumë kënaqësi. Në fakt në jug të Shqipërisë dua t’i bëj pushimet këtë vit. Edhe vajza të përfitojë nga ajri i detit. Mua prindërit e mi më kanë mësuar me plazhin që shumë të vogël; të njëjtën gjë dua të bëj edhe unë me vajzën time.

E ëndërroje këtë moment, që e vogël?

Nuk mund të them që kam guxuar ta mendoj kaq shumë. Akoma nuk e përfytyroj shumë qartë, pasi më mirë ta përjetoj realitetin kur të ndodhë.

Si i përjetove ndryshimet e trupit?

Me siklet. Mundohem të kujdesem sa më shumë duke e lyer lëkurën me krem dhe duke ngrënë shumë fruta, po për fat të keq ha shumë nga gjithçka. Brumrat janë pika ime e dobët edhe pse nuk më bëjnë mirë.

Ke pasur neps?

Jo ndonjë neps të veçantë.

Kur e zbulove gjininë?

Gjatë një ekoje që bëra tek një kolegia e mamit në Shqipëri, në fund të muajit të katërt.

I ke bërë blerjet për të voglën?

Thuajse kam përfunduar. Kam blerë ca veshje shumë të lezetshme. Shpresoj që vajza ime të jetë bukuroshe pasi unë s’kam qenë aspak kur kam lindur. Veshjet që kam zgjedhur do ta zbukurojnë edhe më shumë.

E ke arreduar dhomën e saj?

Si fillim do rrijë në dhomën time. Sendet që nevojiten i kam blerë, por nuk i kam bërë akoma një dhomë të mirëfilltë. Mbase pak me vonë.

Ke qepur vetë ndonjë gjë?

Jo. Nuk jam shumë e zonja për këtë.

Po lexon libra për mëmësinë gjatë kësaj periudhe?

Kam lexuar në fillimet e shtatzënisë për thuajse gjithçka. Tani lexoj vetëm për zhvillimin e saj çdo javë që kalon dhe për ndryshimet në trupin tim.

E keni zgjedhur emrin?

Po.

Si e përfytyron?

Në fakt nuk e përfytyroj shumë…

Kujt do doje t’i ngjante?

Të ishte një miks i mirë i imi dhe i Enisit, po më shumë të merrte nga unë (buzëqesh).

Çfarë dëshiron të marrë prej teje dhe çfarë prej Enisit?

Tiparet e fytyrës së saj do doja të ishin një miks mes meje dhe Enisit. Nga unë dëshiroj të marrë buzëqeshjen dhe gjatësinë. Nga Enisi dua të marrë iniciativën, vendosmërinë dhe guximin për t’u përballur me gjithçka.

Do t’i mësoni shqip vajzës?

Sigurisht vetëm shqip do t’i flas. Dhe nga pak anglisht. Frëngjishten do ta mësojë në kopësht nëse do jemi këtu.

Cilat kanë qenë urimet e miqve të famshëm nga Shqipëria, do na e veços njërin prej tyre?

Ka shumë. Nuk i veçoj tani se mbeten keq të tjerët (qesh). Po kryesisht urime tradicionale dhe tipike.

Do na tregosh diçka më shumë mbi jetën e re në Zvicër…

Unë jam marrë me krijimin (së bashku me Enisin dhe një partner tjetër) dhe menaxhimin të një kompanie netëorking/dhomë tregtare që e kemi quajtur Bona Fide Business. Krahas kësaj, unë dhe Enisi sapo kemi hapur një Barbershop për meshkujt dhe një sallon bukurie për gratë në qytetin e vjetër në Gjenevë. I kemi quajtur Old Toën Barbershop & Old Toën Coiffure & Esthetique. Kur u zhvendosa në Gjenevë, bëra një kurs intensiv frëngjishteje për 3 muaj dhe tani komunikoj lirisht edhe pse jo në mënyrë perfekte. Ndjek rregullisht vizitat tek mjeku dhe mundohem të lëviz aq sa mundem nëpër qytet. Po fakti që jam e zënë me këto biznese që përmenda, nuk më lë shumë kohë në dispozicion.

Merresh me punë shtëpie atje, gatuan, lan enët, merr pluhurat, hekuros?

Jo. Meqënëse jam shumë e angazhuar me punë jashtë shtëpisë, për punët e shtëpisë kam ndihmë.

Çfarë të pëlqen dhe çfarë jo nga jeta atje?

Më pëlqen fakti që jetoj me njeriun që dua dhe që bëj punën që më pëlqen. Fakti që po ngremë disa biznese nga e para është shumë emocionues edhe pse ka vështirësitë e veta. Nuk më pëlqen koha që është kryesisht gri.

Çfarë të mungon më shumë nga Tirana?

Miqtë dhe mikeshat e mia, dhe ndonjëherë edhe emisioni.

Të mungon vëmendja?

Mendoj se vazhdoj ta kem.

Të ka shkuar ndonjëherë në mendje rikthimi në ekran gjatë kësaj kohe?

Sigurisht. Nuk e di se kur dhe në ç’formë po në ekran do të jem prezente gjithmonë.

Kur do të vijë dasma?

Mbase pas 1 viti.

Si e imagjinon?

Madhështore. Po ku i dihet…

Vazhdon të mbash mbiemrin tënd, apo ke marrë të Enisit?

Kam mbajtur mbiemrin tim.