Floriana Garo: Jeta ime e re në Gjenevë, nga kujdesi për vajzën, ortakëria me partnerin dhe marrëdhënia me vjehrrën politikane

Larg ekranit, por jo kureshtjes mediatike, si personazh për të cilën publiku dëshiron ende të dijë detaje rreth jetës së saj, tani jo vetëm jashtë botës së televizionit, por edhe Shqipërisë. Dy muaj, pasi u bë nënë, për herë të parë, e vajzës Adia, Floriana Garo rrëfen për “Panorama Plus” familjen në Gjenevë të Zvicrës që ka krijuar me avokatin Enis Daci. Për partneritetin në biznes, dasmën që do të organizojnë si prindër, marrëdhënien me vjehrrën që merret me politikë dhe rikthimin në dashurinë e saj më të madhe, ekranin, ish-moderatorja e “Jo vetëm modë” i rrëfen në këtë intervistë të parë.

Nënë për herë të parë, është pak më e vështirë sa e kishe menduar të kujdesesh për fëmijën?
Po. Në fakt, në fillim u gjenda e papërgatitur. Ishte një lodhje shumë e madhe dhe vajza qante shumë. Unë isha pa gjumin me të cilin isha mësuar ta bëja gjithmonë të plotë, e lodhur dhe e nervozuar. Isha e pasigurtë që do ia dilja të isha një nënë e zonja. Kur e shikoja Adian të paqtë, mbushesha me lumturi, por pjesa tjetër ishte sfidë. Tani ia kam marrë dorën më shumë dhe ndihem më e sigurtë, por më duhet të pranoj, balancimi i gjërave të ndryshme në jetë bëhet i vështirë kur vjen në jetë një fëmijë.
Cili është rituali i jetës që bën tani në Gjenevë? Sa kohë të merr familja dhe puna?
Gjithë kohën. Paraditen e kaloj me vajzën duke u kujdesur për të e duke shëtitur dhe pas drekës shkoj në punë. Mbrëmjet i kaloj me Enisin dhe vajzën. Kam pasur kënaqësinë të kem për vizitë edhe prindërit e mi dhe shoqet e mia të ngushta nga Shqipëria dhe e kam kaluar shumë mirë kohën me to.
Si është të jetosh në Gjenevë, është qyteti që të përshtatet ty, duke qenë se kjo është eksperienca e tretë pas SHBA-ve dhe Shqipërisë?
Asnjëherë nuk e kisha menduar se Gjeneva do të më pëlqente kaq shumë! Është një qytet i mrekullueshëm për të rritur fëmijë. Plot parqe, pastërti, rregull dhe siguri, por edhe plot jetë dhe argëtim.
Kthehemi te familja që ke krijuar. Me partnerin avokat jeni tipa të kundërt që tërhiqeni apo të njëjtët që shtyheni?
Jemi njësoj në gjërat kryesore. Të dy karaktere të fortë, ambiciozë, por me një dashuri të madhe për familjen.
Ke pasur aq fat me djalin që ke në krah, sa të mos e vrasësh mendjen për të ardhurat në familje, apo po punon fort për të fituar sa më shumë?
Sigurisht që e vras mendjen dhe e kam vrarë gjithmonë. Unë kam punuar që 15 vjeçe, gjatë gjithë shtatzënisë dhe jam kthyer në punë (edhe pse pjesërisht), pak kohë pas lindjes së vajzës. Me Enisin punojmë bashkë dhe përveçse partnerë në jetë, jemi partnerë edhe në biznes.
Je shprehur se keni plan të organizoni ceremoni dasme tani si prindër. Keni vendosur diçka konkrete dhe ç’mund të na tregoni?
Po mendojmë diçka për vitin tjetër, por ende pa një plan dhe datë konkrete. Këtë vit ishte e pamundur me Adian kaq të vogël.

Floriana-Garo-4
Si e keni marrëdhënien me vjehrrën tuaj, Lumturi Ratkoceri, një zonjë e angazhuar në politikë si kryetare e Aleancës Kuq e zi. Sa të afërta jeni dhe ka kohën e duhur ajo të jetë pranë jush, duke u nisur nga angazhimi i saj?
Vjehrra ime jeton në Tiranë, ndaj ka mjaftueshëm kohë që ta drejtojë Aleancën Kuq e Zi. Por ajo vjen e na viziton shpesh, pasi ka jetuar për shumë vite këtu dhe e ndjen Gjenevën si qytetin e saj.
Mund të na japësh dy përjetime apo këndvështrime të famës, kur ishe pjesë aktive e saj dhe tani që je distancuar disi?
Unë ende e ndiej veten në vëmendje pasi jam thuajse çdo javë pjesë e portaleve, por këtu në Zvicër mundem të jem më e lirshme sesa në Tiranë dhe të shijoj edhe anonimatin tim. Gjatë kohës që isha shtatzënë, isha shumë e lumtur që nuk isha në Tiranë dhe nën vëzhgimin e njerëzve, pasi jam ca supersticioze.
Duket sikur mes dilemës “karrierë apo familje” ti zg-jodhe të dytën? Tani që i ke provuar të dyja, ç’mendon realisht se vlen më shumë në këtë botë?
Dashuria dhe të qenurit në harmoni. Për disa, më e rëndësishme është familja, e për disa të tjerë është karriera. Unë nuk jam këtu për të gjykuar, por unë të parën kam zgjedhur gjithmonë dashurinë, e pastaj e kam ndërtuar jetën dhe karrierën në varësi të saj.
Në një intervistë televizive te “Opinion”, je shprehur pak a shumë se të mungon jeta në Shqipëri. Për çfarë ndjen mall konkretisht nga Tirana?
Sigurisht më mungojnë aspekte të jetës në Shqipëri. Fakti që mund t’i takoj njerëzit kur të dua, pa caktuar një takim dy javë më parë. Më mungon koha gjithmonë me diell, edhe pse këtë periudhë Gjeneva ka qenë me kohë të mirë, por zakonisht nuk është. Më mungon televizioni dhe kënaqësinë që merrja kur emisionet e mia pëlqeheshin aq shumë dhe kishin aq ndikim te shikuesit.
Ndjek programe shqiptare tani që je larg Tiranës dhe çfarë kujton me nostalgji nga koha kur drejtoje “Jo vetëm modë”?
Jo, nuk shikoj për hir të së vërtetës, sepse nuk kam kohë. Nga “Jo vetëm modë”, kujtoj gjithçka; çdo udhëtim, çdo intervistë, çdo aventurë me stafin tim të mrekullueshëm. Kemi kaluar vërtet shumë mirë dhe mendoj se kemi lënë pas një program me vlera.
Si përfundim, televizionin e sheh si një cikël të mbyllur apo ke plan t’i rikthehesh?
Televizionin nuk e shoh si një cikël të mbyllur. Do të jetë gjithnjë një ndër dashuritë e mia më të mëdha, ndaj besoj se një ditë do të rikthehem, edhe pse mbase jo me kohë të plotë.
Dhe pyetja e fundit që u bëhet shpesh nënave të reja. Si një miss me fizikun e gjatë dhe elegant, gjithmonë sheh ndryshime pas lindjes?
Gjatë shtatzënisë mora shumë peshë. Në fund e ndjeja trupin të transformuar për keq, por pas lindjes me shumë regjim dhe fat, i kam hequr thuajse të gjithë kilogramët që shtova. Këtu eci shumë më tepër se në Tiranë dhe mundohem të ushqehem sa më shëndetshëm.