Flet i riu që i hodhi Rita Orës flamurin serb: ‘Më befasoi, ma mori atë nga dora’

Kërcimi i Rita Orës me flamurin serb ka qenë kryefjalë jo vetëm në vendin tonë, por edhe në Serbi.

I riu që i dha asaj flamurin, i quajtur Borivoje, ka folur në një intervistë për ‘Telegrafi’ dhe ka shprehur përshtypjet e tij lidhur me ngjarjen. Borivoje ka treguar se nëna e tij është serbe dhe babai i tij hungarez, dhe për këtë arsye e kishte sjellë flamurin në koncert.

“Kam lindur në Hungari, nëna ime është serbe, kam shkuar në festivalin SZIN dhe flamurin serb e mbaj gjithmonë me vete. E kam futur pa problem, në Szeged i duan shumë serbët dhe nuk kanë bërë asnjë problem. Kam ardhur më herët për t’u ulur në rreshtin e parë për të xhiruar një video në Instagram – me flamurin e Serbisë në koncertin e Ritës”, tha ai.

Siç zbuloi Borivoje, ai nuk ia dha flamurin, por ajo e mori vetë dhe u mbulua, gjë që e habiti edhe atë.

“Më befasoi edhe ajo, ma mori flamurin nga dora. Unë thjesht doja të bëja një video për TikTok. Askush tjetër nuk ishte me flamurin e Serbisë përveç meje”, tha ai.

Në fund ai ka treguar se më pas nuk ka pasur asnjë problem dhe se pas koncertit ka biseduar me një shqiptar që ka parë gjithçka dhe i ka thënë “se ishte shumë i zhgënjyer nga Rita”.

“Nuk pata asnjë problem pas kësaj. Unë pas koncertit fola me një shqiptar dhe i thashë se ajo ma mori flamurin nga dora, dhe ai tha se nuk ishte faji im dhe se ishte shumë i zhgënjyer prej saj”, ka përfunduar Borovioje.

Pasi videoja ngjalli reagime të shumta, Rita reagoi duke thënë se nuk e ka dalluar flamurin se ishte i Serbisë. Në një prononcim për “Klan Kosova” artistja tha se është shqiptare krenare dhe nuk ka pasur si qëllim të mos respektojë trashëgimin e saj e aq më pak të mërzisë popullin dhe familjen e saj.