Flet gjinekologia Edlira Bylykbashi: “Nuk ngelni shtatzënë për 12 muaj? Duhet të shkoni patjetër te mjeku si çift”
Sjellja në jetë e një fëmijë është gjithmonë e më e vështirë për disa e çifte dhe për disa të tjerë thuajse e pamundur. Raporti i fundit global i publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ka nxjerrë në pah se 1 në 6 persona përballet me infertilitetin në një moment të jetës së tyre. Prevalenca ndryshon shumë pak nga një rajon në tjetrin, p.sh në vendet me të ardhura të larta vlerësohet se 17,8% e popullsisë ka përjetuar infertilitet, ndërsa kjo shifër bie ne 16,5% në vendet me te ardhura të ulta të mesme.
Infertiliteti mund të shkaktohet nga disa faktorë të ndryshëm te femrat dhe meshkujt si: infeksionet seksualisht të transmetueshme, çrregullimet e vezores ose ato hormonale, infeksionet gjenitale, faktorët mjedisorë, duhani, alkooli, cilësia e jetës etj.
E ftuar në emisionin “GoodMorning Albanians”, gjinekologia Edlira Bylykbashi tha se kur një çift që ka jetë të rregullt seksuale dhe nuk mundet të ngjizë dot një fëmijë brenda 12 muajve duhet të konsultohen patjetër me mjekun specialist.
“Kur çifti ka 12 muaj jetë seksuale dhe nuk arrin të lindë fëmijë është infertilitet dhe kur nuk arrin asnjëherë të lindë fëmijë është sterilitet. Nëse një çift nën 35 vjeç, brenda 12 muajve nuk ngel shtatzënë është arsye për konsulta me mjekë gjinekologë dhe andrologë, por jo se nuk mbetet shtatzënë, nuk do të thotë se nuk do riprodhohesh më. Paraqitesh te mjeku për të gjetur shkakun e kësaj situate”, cilësoi mjekja.