Flet Aldo Sulollari, spikeri që jep lajmet i zhveshur: Mesazhet hot që marr çdo ditë

E quan veten si 17- vjeçarin e famshëm në Shqipëri, që guxoi të japë lajme vetëm me një xhaketë, sipas kodit të veshjes së televizionit ku punon. Aldo Sulollari është i lumtur që do të mbahet mend si adoleshenti i parë që arriti të thyejë tabu, duke hedhur tutje bashkë me kravatën serioze, burokracinë e realitetin shqiptar. I ndërgjegjshëm se thotë të vërteta lakuriqe në ekran, pas një viti që bën këtë punë në televizionin “Zjarr TV”, ai zbulon për “Panorama Plus” strategjinë për të mos u djegur si imazh, ende pa filluar karrierën dhe mesazhet private që merr çdo ditë.

Aldo-Sulollari-3

Spikeri, i vetmi djalë që guxoi të japë lajme pa këmishë e kravatë, por direkt me një xhaketë sipër trupit. Je penduar në një moment që je identifikuar si i tillë dhe kur ka ndodhur?
Jo. Sinqerisht, jam tepër i lumtur që për afër 1 vit jam pjesë e formatit “360 Gradë” dhe sinqerisht më pëlqen, sepse është diçka ndryshe nga çdo ekran tjetër. Ndodh shpesh që ta thonë kur jam në lëvizje me miqtë, kolegët ose familjen, e të them të vërtetën, më shumë e quaj të sikletshëm faktin që të japin një vëmendje më të madhe sesa vetë formati.

E ke theksuar gjithmonë që simbolika e dhënies së lajmeve i zhveshur u shkon për shtat të vërtetave lakuriqe. Për çfarë ke guxuar ta thuash hapur në ekran?
Shumë njerëz nuk arrijnë ta kuptojnë shprehjen time “them të vërteta lakuriqe”, por bëhet fjalë për demaskimin dhe pasqyrimin e së vërtetës së hidhur, që realisht e ka pushtuar vendin tonë, duke e transmetuar ashtu siç realisht është aktualiteti shqiptar në ekran. Do të ishte e lodhshme të listoja diçka, por realiteti që transmeton “ZjarrTV”, është realiteti që prek individi dhe qytetari i thjeshtë, jo ngjyrimet politike të televizioneve të tjera.

Aldo-Sulollari-4

Ka pasur raste që ke rënë pre e talljeve në internet, nisur nga videot ku jep lajmet me xhaketë zbërthyer. Je ndjerë keq?
Ka pasur disa raste që s’mund t’i konsideroj “tallje”, por më shumë e bëjnë për të krijuar pak audiencë për vete nga imazhi im. (Qesh) Kështu ndodh zakonisht… Theksoj faktin që prisja komente mjaft negative, por po kuptoj që po shtohen artdashësit dhe njerëzit e dënuar nga politika. Pra, kanë filluar ta kuptojnë se çfarë bëj unë në të vërtetë.

Si mund të reagojnë njerëzit kur të shohin nga shtëpitë e tyre tek jep lajmet i zhveshur? Mendon se është serioze e gjitha kjo, që po përpiqeni ta ktheni në normalitet?
Nuk e di këtë. Mendoj se duhen pyetur njerëzit, megjithatë në videot e postuara në qendra të ndryshme tregtare kam parë veten në monitorët e mëdhenj dhe kishte reagime, por jo fyese. Tek e fundit, nuk kanë për çfarë të fyejnë sepse është diçka e veçantë dhe çdo gjë që transmeton jo vetëm “360Gradë”, por dhe shumë emisione të ekranit të televizionit ku unë punoj, janë për përmirësimin e jetesës së qytetarëve, duke vendosur në dukje problematikat.

Aldo-Sulollari-5

Mendon se si djalë që je, mund të provokosh njësoj si një spikere lajmesh me dekolte?
E para dhe me kryesorja, nuk kam dalë për të provokuar, por për të dhënë lajme në një program informativ. E dyta, nuk kam pse të marr rolin e femrës në ekran, sepse kemi ikona bukurie, sa u takon femrave. Ndërsa unë jam tepër mashkull për të intriguar në atë mënyrë.

Ke marrë mesazhe hot këtë vit që bën spikerin ndryshe të lajmeve, dhe çfarë të ka bërë përshtypje në mënyrën si të sheh audienca?
Mesazhe hot marr çdo ditë, por këta njerëz duhet të dinë se jam akoma 17 vjeç dhe ma kontrollon telefonin herë pas here dhe familja. Nuk kam turp ta theksoj, sepse vetëm prej mbështetjes dhe kontrollit të tyre, jam një 17-vjeçar kaq i famshëm.

Ka ndodhur që ke intervistuar politikanë me këtë kod veshjeje dhe mendon se janë vënë në siklet?
Kam intervistuar politikanë, por kam qenë i veshur në ato momente, pasi kam qenë në terren. Ndërsa studion televizive e dua vetëm për vete. (Qesh)

Aldo-Sulollari-2

Ke bërë përshtypje apo emër mjaftueshëm si spiker për t’u punësuar nga një televizion kombëtar, apo e mendon të vështirë depërtimin?
Emër mjaftueshëm kam bërë, për hir të së vërtetës, por pretendoj edhe për më shumë. Por “ZjarrTV”, e para, është një ndër televizionet shqiptarë më të ndjekur brenda dhe jashtë vendit, që për mua nuk është vetëm një vend pune, por një shkollë që po më rrit shumë profesionalisht. Gjatë 5 viteve tanimë në botën e medias, ky, për mua, ka qenë viti i suksesit. Por ka akoma…

Ke realizuar dhe një set fotosh artistike. Në ç’fushë tjetër dëshiron ta eksplorosh televizionin?
“Life Style Albania”, një kompani prestigjioze mode më ka kurorëzuar me çmimin “Best face Albania” në konkurse bukurie dhe jam i certifikuar si fotomodel. Përpos të gjitha eksperiencave të mia, punën si spiker lajmesh e admiroj dhe nuk kam ndërmend të shkëputem. Por më pëlqen kohët e fundit të merrem dhe me reklamime, marketing, aktrimi gjithashtu dhe po ashtu administroj një restorant, pra, merrem me shumë fusha. Prioriteti im është të rritem si figurë në ekranin ku punoj./Panorama Plus