Flet 30-vjeçarja që braktisi foshnjën e porsalindur në garazhin e një pallati: “Jam e pamartuar, nuk doja që…”

Një ngjarje e rëndë tronditi ditën e djeshme banorët e Yzberishtit dhe jo vetëm. Një foshnjë e porsalindur e seksit mashkull, u gjet e mbështjellë me batanije në garazhin e një pallati. Ishte një banor i zonës që lajmëroi menjëherë forcat blu të kryeqytetit dhe ambulancën, të cilët i erdhën në ndihmë vogëlushit që për fat të keq sot paradite ka humbur jetën.

Disa orë pas ngjarjes, autoritetet policore arritën të binin në gjurmët gruas që braktisi të birin. E.I, 30 vjeç, nga Pogradeci mohoi fillimish autorësinë e këtij akti të rëndë, por pas verifikimit të telefonit celular efektivët provuan që ishte ajo personi që po kërkonin.

Mësohet se para hetuesve ajo ka deklaruar se është e pamartuar dhe nuk ka dashur që shtatzënia e saj të merrej vesh nga familja dhe opinioni publik. Sa i takon babait të bebes, ajo nuk ka dhënë ende asnjë detaj për identitetin e tij.

Pas ndalimit nga Policia, 30-vjeçarja u dërgua në spital ku mëngjesin e sotëm iu komunikua edhe urdhërarresti i lëshuar ndaj saj për braktisjen e fëmijës.

Ditët e fundit kanë qene të mbushura me ngjarje të rënda që kanë prekur opinionin publik, por edhe na kanë futur në një oazë dyshimesh se çfarë po ndodh me shoqërinë shqiptare sot, e cila duket më e përhumbur dhe më e brishtë se kurrë.

Living.al