Fjoralba Ponari ka plan të fejohet, por kur?

Fjoralba Ponari, e ftuar në “Wake Up”, foli për planet për fejesë me partnerin e saj, Françesko. Ajo u shpreh se fejesa është në planet e tyre, jo shumë të largëta, sepse tanimë janë një çift i konsoliduar.

“Është një gjë që do të ndodhë, sepse ne kemi një marrëdhënie shumë të konsoliduar me njëri-tjetrin.Problemi është se momentalisht jemi duke investuar në profesionet respektive që kemi. Françi po ashtu po bën një kualifikim jashtë dhe deri në momentin, që është i afërt, jo shumë i largët, kur të jemi në një situatë më komode me profesionet tona, mendoj se do të jetë momenti i duhur”, u shpreh moderatorja.

Gjithashtu, Fjoralba foli edhe për arsyet pse më parë ka qenë shumë e rezervuar në marrëdhënien e saj private, duke mos ndarë shpesh foto me partnerin. Me kalimin e kohës, ajo na ka treguar paksa më shumë rreth dashurisë që po përjeton dhe kjo, jo pa qëllim.

“E kam bërë për disa arsye. E para, kur ti je figurë e re televizive, bëhet një abuzim jashtëzakonisht i madh. Aludohet vazhdimisht për ty, për jetën tënde, të lidhin me figura që ti s’ke pikën e lidhjes, krijojnë situata dhe skenare që nuk ekzistojnë dhe jam përpjekur që ta mbaj familjen time sa më larg të jetë e mundur. Te familja ime, patjetër hyn edhe Françi. Në momentin që njerëzit kanë kuptuar se si jam unë, çfarë natyre jam…deri në momentin që e kam shtruar disi rrugën dhe njerëzit janë qartësuar pak a shumë për tipin që unë kam, jam ndjerë pak më komode që të ndaj edhe copëza nga jeta ime personale”.

Ajo tregoi pak edhe për karakterin e partnerit, duke thënë:

“Françi po ashtu është pak natyrë e mbyllur, nuk është kaq ekspresiv sa jam unë. Çunin e kemi Peshore (në horoskop), është shumë i tërhequr, nuk i pëlqen ajo vëmendja dhe jam përpjekur të respektoj privatësinë dhe dëshirat e tij”, theksoi Fjoralba, duke shtuar se tanimë ndihen paksa më rehat dhe në të ardhmen, do të ndihen edhe më shumë që të ndajnë momente në Instagram.

Gjithsesi, ne mund të themi që kur të jetë gati për të ndërmarrë hapat e tjerë, Fjoralba do të duket një yll!

Anabelmagazine