Fizioterapisti i Diogo Jota: “Kam lexuar gjëra të pakëndshme”. E vërteta është tjetër

Fizioterapisti i portugezit Diogo Jota ka qenë një nga njerëzit e fundit që e ka parë të gjallë futbollistin e Liverpool dhe të kombëtares portugeze, i cili vdiq në moshën 28-vjeçare në mënyrë tragjike bashkë me vëllain e tij André Silva në një aksident rrugor në Spanjë, natën mes të mërkurës dhe të enjtes. Miguel Goncalves rrëfen orët e fundit të Jotës dhe këmbëngul sidomos të përgënjeshtrojë zërat për një jetë nate që e kishte çuar atë të endet me Lamborghini në mes të natës. E vërteta është krejt tjetër dhe Goncalves shfryn për gazetën portugeze ‘Record’, për të bërë drejtësi me kujtimin e sulmuesit dhe për të shpjeguar qartë pse ai ndodhej me makinë natën në atë rrugë të mallkuar në veri-perëndim të Spanjës.

Fizioterapisti i Diogo Jota: “Diogo dhe André nuk ishin duke festuar”

“Kam lexuar disa gjëra të pakëndshme në internet dhe i kam dëgjuar edhe në media – thotë Goncalves prerë – Për të qenë të qartë, Diogo dhe André nuk ishin duke festuar, nuk ishin në atë që quhet ‘jetë nate’, nuk kishin asgjë për të rregulluar. Asgjë”. Fizioterapisti i frymëmarrjes kishte punuar me Jotën vetëm pesë orë para aksidentit fatal (që ndodhi rreth orës 00:30), pasi futbollisti kishte pësuar një pneumotoraks që e kishte detyruar të bënte një ndërhyrje të fundit pas fitores në Nations League.

Lidhja e fortë me kombëtaren e kishte bërë të shtynte operacionin nga maji për pas fitores së Portugalisë kundër Spanjës, në fillim të këtij muaji. Diogo Jota ishte pra në rikuperim dhe mjekët i kishin thënë të shmangte udhëtimin me avion, për shkak të presionit të kabinës: për këtë arsye ai kishte vendosur të ndërmerrte një udhëtim të gjatë dhe të lodhshëm për t’u kthyer në Angli (të hënën duhej të paraqitej në grumbullimin e Liverpool), fillimisht me një makinë me qira, me të cilën do të arrinte gjatë natës në Santander, e më pas me një traget që nga atje do ta çonte në Plymouth për rreth 20 orë, për të vazhduar më pas me makinë drejt Merseyside.

Asgjë e pazakontë pra në bazë të vendimit për të udhëtuar me Lamborghini Huracan, që u kthye në një top zjarri pasi doli nga rruga për shkak të shpërthimit të një gomë gjatë një parakalimi. Diogo Jota dhe André Silva nuk patën asnjë shans, vdiqën të karbonizuar. Varrimi i futbollistit do të mbahet të shtunën paradite në Igreja Matriz të Gondomarit, gjysmë ore larg qytetit të tij të lindjes, Porto, ku dy javë më parë ishte martuar me nënën e tre fëmijëve të tij, që e njihte që nga shkolla e mesme. Pasditen e sotme do të mbahet edhe një pritje mortore.

Rrëfimi i orëve të fundit të Diogo Jota: vendosi të udhëtonte natën, ishte më freskët

Goncalves, që punon në Spitalin São João të Portos, ka deklaruar se e ka parë Jotën për herë të fundit të mërkurën në darkë, para se të ndahej me të pasi ai kishte zgjedhur të udhëtonte natën sepse ishte më freskët: “I përshëndeta atë dhe vëllain e tij André rreth orës 20:30. Vëllai i tij ishte një shok fantastik dhe vendosi të shkonte me të, për ta shoqëruar gjatë udhëtimit, në mënyrë që të kalonin më shumë kohë bashkë. Nuk do të shkonin direkt drejt Santanderit. Më tha se udhëtimi do të zgjaste rreth tetë orë, por se do të ndalonin në një hotel në zonën e Burgos për të pushuar. Diogo ishte shumë i ndërgjegjshëm për profesionalizmin e tij. Duhej të mbërrinin të nesërmen në Santander, të merrnin anijen dhe pastaj të shkonin në Angli. Familja do të shkonte më vonë me avion, do të organizonte jetën për fundjavën dhe më pas të hënën do të caktonin një vizitë mjekësore në Liverpool për të vlerësuar gjendjen e tij”.

“Kam filluar të punoj me të të shtunën e kaluar dhe kam qenë me të çdo ditë deri të mërkurën – ka vazhduar fizioterapisti – Ka pasur një rikuperim të jashtëzakonshëm, ishte pa dyshim një profesionist i pakrahasueshëm. Ka ndjekur me përpikëri udhëzimet e mia, siç shihej nga mënyra se si po rikuperohej. Baza e mushkërisë së tij të djathtë ishte paksa e kolapsuar, por me fizioterapi pas operacionit ishte pothuajse perfekt. Kur e lashë nuk kishte më dhimbje dhe ishte gati të kthehej në Liverpool. Ishte i emocionuar, i sigurt për shërimin e tij dhe i entuziazmuar për sezonin e ardhshëm. Më tha që nuk do të shkonte në turneun parasezonal në Japoni me Liverpool për të vazhduar më mirë rikuperimin e tij, ishte i bindur se do të bënte një sezon të madh”.

Fatkeqësisht gjërat shkuan ndryshe, duke e zhytur botën e futbollit në dëshpërim. Ende nuk dihet kush ishte në timon, dhe ndoshta nuk do të dihet kurrë, për aq sa ka rëndësi. Dy vëllezërit po udhëtonin përgjatë një segmenti të izoluar të autostradës, rreth një orë në perëndim të Zamora-s, pranë kufirit me Portugalinë, kur ndodhi aksidenti. Angel Blanco, zyrtar i qeverisë spanjolle, ka deklaruar se Diogo Jota dhe André Silva kanë vdekur në vend. Një fund vërtet i tmerrshëm.

lapsi.al