“Fitoja 200 mln lekë në vit”- Flet Redjan Rraja, çfarë thotë për “Audin” e Kejvinës
Redjan Rraja, i akuzuar për atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja, ka folur përpara hetuesve në lidhje me automjetin tip “Audi”, që SPAK i ka sekuestruar modeles Kejvina Kthjella.
Në deklarimet e tij, Rraja mohoi të ketë lidhje me automjetin e modeles dhe deklaroi se “Audi” është në pronësi të Kthjellës dhe jo të tij.
Ai mohoi kategorikisht që të ketë ndihmuar modelen në blerjen e automjetit luksoz.
“Kam pasur marrëdhënie miqësie me Kthjellën, por asgje tjetër. Ajo makinë ka qenë më emër dhe mbiemer të saj. Unë nuk kam lidhje fare. Është objekt që është i saj. Nuk e di kur është blerë. Në mënyrë absolute nuk kam kontribuar në blerjen e këtij mjeti”, tha Rraja.
Në lidhje me të ardhurat e tij, Rraja tha se kishte tre klinika stomatologjike dhe se siguronte deri në 200 milonë lekë të vjetra në vit.
“Asnjëherë nuk kam shpenzuar më shumë se fitimet e mia”, tha ai.
SPAK kërkon konfiskimin e një njësie tregtare, dy garazheve dhe automjetit “Audi”, si të pajustifikuara në burime të ligjshme. Në seancë Rraja tha se në vitin 2016 kishte bërë një kontratë prenotimi për një njësi tregtare e dy garazhe dhe se kishte paguar përmes bankës rreth 200 mijë euro. Sipas tij, një pjesë të shumës e kishte kërkuar pas për shkak se i ishin nevojitur gjatë kohës që kishte shkuar në Kanada.
“Kur u ktheva nga Kanadaja do t’ia ktheja paratë, por u arrestova. Për këtë shkak i kërkova bashkëshortes ta revokonte kontratën”, tha Rraja.
Ai tha se nuk kujtonte të kishte pasur marrëdhënie kontraktore me një familjarë të Elton Çiços në vitin 2016 në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Rraja theksoi se mund ta ketë pasur paciente, pasi ka punuar 6 vite si stomatolog në Tepelenë. Si pacient Rraja tha se njihte edhe Elton Çiçon, duke kujtuar se kishte qenë në të njëjtën tavolinë me të momentin e vrasjes.