Fitoi çmimin “Miss Spektakli”/ Dalin pamjet kur kryetarja e Gjykatës së Elbasanit sfilonte me bikini në pasarelen e vërtetë!
Korridori i Gjykatës së Elbasanit ngjason me pasarelat e modës, vetëm se në skenë është kryetarja e këtij institucioni, Enkeleda Kapedani.
Drejtuesja e Gjykatës së një prej qarqeve më problematike në vend sa i përket krimit kujdeset që gjatë detyrës së saj të realizojë edhe video për rrjetin social “Tik Tok”.
Por modelimi, nuk është një anë e panjohur për Enkeleda Kapedanin, pasi ajo ka marrë pjesë në “Miss Shqipëria” rreth 18 vite më parë dhe ka fituar çmimin “Miss Spektakli”.
Dhe duket se rritja në shkallët e drejtësisë nuk i ka shuar pasionet e saj për famën, tanimë në rrjetet sociale.
Pasi u shpall më e bukura e Shqipërisë në vitin 2003, ajo vendosi të studionte për drejtësi, shoqëruar më pas me studimet në Shkollën e Magjistraturës me profil gjyqtar.
Pas përfundimit të stazhit, gjyqtarja nisi punë dhe në vitin 2015 ajo u dekretua nga Presidenti Bujar Nishani si gjyqtare pranë Gjykatës së Elbasanit, ku vazhdon edhe aktualisht, por tanimë si drejtuese e këtij institucioni.
Përgjatë këtyre viteve, emri i Kapedanit bëri bujë në media pasi liroi nga burgu Viktor Ymerin, i cili konsiderohej nga Policia dhe Prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës (Gaxhait), i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.
Kapedani u emërua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 shtator të vitit 2020, pas dorëheqjes së gjyqtarit Zihni Shahu, dhe nuk është përballur ende me procesin e vetingut.
Nuk dihet ende se sa kohë e përdorte rrjetin social “Tik Tok”, por ajo që dihet është se gjyqtarja e mbante llogarinë në emrin e saj.
Publikimin e videove në mediat online, Enkeleda Kapedani i konsideroi sulme duke theksuar se ishte grua dhe nënë.
Në një prej pamjeve, gjyqtarja filmohet sapo del nga ashensori e deri në momentin kur hap zyrën e kryetarit, duke sfiluar përpara aparatit, ndërsa dikush tjetër realizon videon.
Performancat për rrjetin social nuk mbarojnë këtu. Gjyqtarja kujdeset që edhe në zyrën e saj, në të cilën ka dosje të renditura në raft, të performojë përpara kamerave, shoqëruar sigurisht me muzikë në sfond.
E shkujdesur totalisht nga të qenët në zyrat e institucionit, Kapedani performon me duar dhe luan me flokët e saj, pamje këto të denja për të ashtuquajturat “vajzat e Instagram-it”.
Brenda zyrave të saj, gjyqtarja realizon të tjera video shoqëruar në sfond me këngë hip-hopi.
Në njërën prej tyre, Kapedani shoqëron shfaqjen e saj ndërsa bën një panoramim në sfond të ambienteve të zyrës, me këngën e Dom Xhonit “Maffia, maffia”, mesazhi i së cilës në thelb është mbështetje për krimin dhe drogën, ndërsa në tekst nuk mungojnë as fjalët banale.
Në video, ajo reklamon veshjet e markave të shtrenjta dhe makinën e saj tip “BMË”, ndërsa një moment kur po ecën me shpejtësi në rrugë filmon veten duke bërë parakalim të gabuar.