Finlandë, shoferi gjobitet me 121 mijë euro për tejkalim shpejtësie
Një shofer i pasur është gjobitur me 121 mijë euro për tejkalim shpejtësie në Finlandë, ku gjobat e tilla llogariten në bazë të të ardhurave të shkelësit.
“Më vjen vërtet keq për këtë”, citoi gazeta kryesore në Ishujt Aaland, një rajon autonom i Finlandës në Detin Baltik, të thoshte Anders Wiklöf në një artikull të botuar të hënën.
Wiklöf po udhëtonte me 82 kilometra në orë në një zonë ku kufizimi ishte 50 kilometra në orë kur policia e ndaloi dhe i dha gjobën të shtunën. Së bashku me marrjen e gjobës, atij iu pezullua patenta e shoferit për 10 ditë, sipas gazetës “Nya Aaland”.
Kjo nuk ishte hera e parë që Wiklöf u kap duke ngarë automjetin shumë shpejt. Në vitin 2018, ai u gjobit me 63.680 euro ndërsa 5 vjet më parë u detyrua të paguaj një gjobë tjetër prej 95 mijë eurosh.
Wiklöf, i cili është me origjinë nga Aaland, drejton një holding që përfshin biznese në sektorët e logjistikës, shërbimeve të helikopterëve, pasurive të paluajtshme, tregtisë dhe turizmit. Arkipelagu ndodhet në hyrje të Gjirit të Bothnias, midis qytetit finlandez Turku, në bregun perëndimor të Finlandës kontinentale dhe kryeqytetit të Suedisë, Stokholmit.