Fevziu, Konomi, Fuga, Bido… në garë për Çmimin “Lumo Skëndo”
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka publikuar 10 kandidaturat për Çmimin “Lumo Skëndo” për vitin 2023. Duket se gara këtë vit për veprën më të mirë në publicistikën dhe eseistikën shqiptare nuk është e lehtë. Veprat e përzgjedhura janë “Fan Noli – Apostulli” nga Ilir Ikonomi, “Frashëri i shquar, i panjohur”, Thomas Frashëri; “Beteja për 20 përqindëshin” Ardit Bido; “jë urë fjalësh mes nesh dhe tjetrit” Namir Lapardhaja; “Zbulimi i Erosit në antikitet”, Artan Fuga; “Njeriu si një tjetër”, Natasha Lako; “Takimet e mia me…”, Blendi Fevziu; “Unë jam Kosovë”, Migjen Kelmendi; “Dëshmi dhe kujtesë”, Astrit Lulushi.
Juria e edicionit të tretë të çmimit “Lumo Skëndo”, përbëhet nga botuesja Arlinda Dudaj, Uran Butka, studiues i veprës së Mit’hat Frashërit, pedagogia Belina Budini, studiuesi dhe pedagogu Bledar Kurti si dhe studiuesi Ardit Gjinali.
Nisur edhe nga dy edicionet e mëparshme, Çmimi “Lumo Skëndo” shihet si një vlerësim për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të këtyre botimeve, që kanë një rol në diskutimet publike.
Për Drejtoreshën e QKLL-së Alda Bardhyli ky çmim jo vetëm rikthen vëmëndjen tek një figurë e rëndësishme e kulturës shqiptare si Mid’hat Frashërit, por dhe vlerëson dy gjini që shpesh lihen në harresë, por janë thelbësore në zhvillimin e debateve bashkëkohore e të thelluara.
Çmimi “Lumo Skëndo” për veprën më të mirë të botuar në publicistikë dhe eseistikë përgjatë vitit 2023, do të finalizohet në fund të marsit, që është dhe dita e lindjes së Mit’hat Frashërit.
Një vit më parë, fitues i Çmimit Lumo Skëndo ishte Ben Blushi me “41 Sekrete”. Autori u vlerësua për veprën më të mirë në fushën e publicistikës dhe eseistikës për vitin 2022.
Ndërsa dy vite më parë, që u mbajt edhe edicioni i parë, fituese e çmimit Lumo Skëndo ka qenë Lea Ypi me librin “Të lirë”.
bulevardnews.com