“Festivali në qiell të hapur, një triumf ndaj fatalitetit në këtë kohë të rëndë”- Martin Leka flet për kontestuesit: Artisti duhet të…
Drejtori i Festivalit të 59- të të Këngës në RTSH bën rrëfimin post-festival, pasi juria shpalli fituese këngën “Karma” të Anxhela Peristerit Për Martin Lekën, drejtorin me eksperiencë të Festivalit të 59-të të Këngës në RTSH, gara mes artistëve duhet të përjetohet si një festë e përbashkët, së cilës bëjnë mirë t’i gëzohen të gjithë.
Si një shijues me klas i krijimeve të çdo viti, në këtë intervistë të parë post-festival për “Panorama Plus”, Martini flet hapur për skenën dhe pas skenën e show-t më të rëndësishëm të muzikës, të zhvilluar për herë të parë nën qiell të hapur për shkak të pandemisë.
Për festën që organizoi bashkë me regjisorin Pali Kuke, ku etheve të garës iu shtuan edhe ethet e të ftohtit të dhjetorit, Martin Leka bën këtë rrëfim pa doreza, ku jep dhe një përgjigje për kontestuesit…
Festivali i Këngës në RTSH u mbyll në vigjilje të Krishtlindjeve, duke u shpallur kënga fituese me titullin “Karma”. Si do ta përshkruaje këtë finale?
Martin Leka: Festivali i Këngës në RTSH tashmë është një institucion, dhe si i tillë ka pasur gjithnjë vëmendjen e drejtuesve të RTSH-së. Si drejtues i shumë festivaleve, ky pa dyshim mbetet më i veçanti prej tyre. Së pari, pandemia na kushtëzoi në një dilemë të fortë: “Të bëhet apo të anulohet”?! Së dyti, për të mbrojtur shëndetin e njerëzve, duheshin respektuar masat anti-Covid. Së treti, në një dimër të ftohtë, a do mund të zhvillohej jashtë, pasi në salla ishte e pamundur të respektoheshin masat anti-Covid për vetë specifikën e punës dhe një numër të madh njerëzish të përfshirë në realizimin e një veprimtarie të gjerë me karakter kombëtar?!
Për të gjitha këto, nuk patëm asnjë dilemë dhe vendosëm ta zhvillojmë festivalin në ambient të hapur, duke i thënë “JO” fatalitetit në këtë kohë të rëndë e të mërzitshme për të gjithë, jo vetëm shqiptarët, por mbarë botën. Pandemia botërore njihet tashmë, dhe, falë komunikimit, kemi mjaft porta nga ku mund të informohemi për të gjetur rrugë e mënyra si të mbrohemi.
Thënë më ndryshe, duke e zhvilluar Festivalin, japim e përçojmë te njerëzit më shumë shpresë, më shumë gëzim e më shumë dashuri. Mendoj që ky është një “protokoll mjekësor” nga më të rëndësishmit në këtë kohë pandemie, për t’i treguar publikut se s’ka asgjë në këtë botë të ndalë të bukurën dhe dashurinë, edhe sikur një njeri të jetojë mbi tokë…
Si e përjetove këtë aventurë nga pozitat e drejtuesit dhe pozitat e shijuesit të muzikës njësoj si publiku?
Martin Leka: U zgjata pak, por po e mbyll me përgjigjen pa shtesa të tjera: nga pozitat e drejtuesit ishte një lehtësim i madh pas një pune të gjatë me plot sakrifica prej të gjithëve. Nga pozitat e shijuesit të muzikës, ishte një festival me muzikë të mirë, me këngë të bukura dhe me autorë e tekste po kaq të bukur e profesionalë. Më kanë pëlqyer shumë këngë. Si përfundim, kishim të gjithë nevojë për një triumf të optimizmit dhe muzika e artistët ia dolën. Si drejtues besova dhe u mbështeta te stafi i profesionistëve. Si shijues apo si publik, admirova heronjtë e artit shqiptar, që u përballën me një sfidë të pazakontë.
Si çdo garë e tillë, pati zhurmë e kontestime nga konkurrentët. Çfarë komenti do bëje për artistët pjesëmarrës dhe a e konsideron këtë një garë vërtet të fortë?
Martin Leka: Pa dyshim, zhurmën dhe kontestimet, sidomos në epokën e teknologjisë së sotme ku çdo njeri ka dhe një “media” të tijën, nuk i ndalojmë dot. Më shqetëson pak kontestimi i konkurrentëve, disa prej të cilëve që nuk ngrihen dot në nivelin e një artisti të vërtetë, të thjeshtë e profesional. Kënga është si “fëmija”. Për çdokënd është më i miri e më i bukuri në botë. Por kur vjen fjala për një garë, ku do të ketë vetëm një fitues, artisti duhet të ngrihet mbi veten dhe të pranojë verdiktin final. Në çdo festival, këtë inkurajim u japim krijuesve: konsiderojeni këtë si një festë të përbashkët dhe gëzojuni kësaj! Por nga ana tjetër, kjo ka dhe anën tjetër të medaljes: tregon se ka garë në mjedise të tilla dhe ky festival, si edhe të tjerë pa dyshim, kishte vërtet garë.
Ty personalisht, cilat këngë të rrëmbyen zemrën me dëgjim të parë dhe cilat me dëgjim të fundit?
Martin Leka: Kjo është pyetje shumë e vështirë, sepse në pozitën e një drejtori festivali, nuk e di nëse do të ishte korrekte apo jo. Për këtë shkak, ia heq të drejtën vetes të përfshihem, sepse nuk do të ndikosh. Këngët kishin tekste e muzikë të mirë. U interpretuan nga këngëtarë të mirë, me potencë vokale. Jam ende një dëgjues e shijues i mirë i çdo kënge, i sigurt se çdonjëra prej tyre do të kthehet në refren, sipas shijeve të publikut.
Ishte kjo një përgjigje diplomatike apo jo?
Martin Leka: Jo, më duket përgjigje korrekte. Nëse do ta vërtetoj, më ka pëlqyer me dëgjimin e parë kënga “Vajzë”, kënduar nga Florent Abrashi, një këngëtar i talentuar nga Kosova…
E pas shpalljes së fitueses Anxhela Peristeri me këngën e kompozuar nga Kledi Bahiti e vargje të Olti Currit, pati komentues që vunë në pah mungesën e votimit direkt të jurisë që i jep suspancë finales, pasi pretendentët luftojnë kokë më kokë në renditjen e pikëve. Çfarë përgjigje mund të japësh për këtë këndvështrim?
Martin Leka: Komentuesit nuk mund të ndalohen dhe janë në të drejtën e tyre të shprehin opinione. Por duhet të kuptojmë kushtet dhe rrethanat, në të cilat u zhvillua ky festival. Përfytyroni dhe imagjinoni të qëndrosh në ambient të hapur, jashtë, me orë të tëra gjer pas mesnate në funddhjetor?! Juria ishte e përbërë nga personalitete të fushës dhe për këtë nuk ka pasur asnjë kontestim. Përfaqësuesi i jurisë erdhi vetë dhe solli vendimin e jurisë direkt, vendim që, siç u shpreh, ishte marrë në unanimitet dhe me konsensusin e gjithsecilit anëtar. Askush nuk mund ta diskutojë vendimin sovran të jurisë. Çdo diskutim tjetër mbi këtë temë do më dukej i tepërt.
A duhet të jetë kënga fituese e projektuar për Festivalin Europian, është ky një kriter për të fituar festivalin e RTSH-së?
Martin Leka: Ky është vërtet një diskutim që ngjall debat. Por në pikëpamjen time të shprehur dhe në gjithë frymën e festivaleve, nuk ka dhe nuk duhet të ketë “një këngë fituese të projektuar për Festivalin Evropian”, siç thoni ju. Nuk mund të ketë. Ne bëjmë festivalin e traditës, festivalin e këngës dhe fakti që kënga fituese shkon në kompeticionin evropian, është totalisht çështje proçedure e RTSH-së dhe nuk ka lidhje me konspiracione. Po ju jap një shembull, Festivalin e 50-të, ku personalisht jam bërë objekt kritikash të skajshme lidhur me fitoren e këngës “Suus” të Rona Nishliut. Shqipëria u ngjit si asnjëherë tjetër në vendin e 5-të në Festivalin Evropian. Ky rast tregon më së miri faktin që brenda subjektivitetit që paraqet kënga si gjini artistike, nuk ka kritere specifike. Ne duhet të ruajmë identitetin në zhvillim të muzikës së lehtë shqiptare.
Kthehemi te show nën qiell të hapur. Ç’ishte njëkohësisht torturuese dhe magjike në ato tri net? Netët në qiell të hapur?
Martin Leka: Të ftohta shumë, por të bukura po aq. Magjike i bënë ato net artistët dhe gjithë stafi, nga i pari deri tek i fundit, të cilëve u përulem me respekt për sakrificën e përkushtimin e treguar.
Nga tenori Ramë Lahaj te rockeri Eugent Bushpepa, ishte e vështirë t’i bindje për të kënduar në të ftohtin e dhjetorit?
Martin Leka: E vështirë? Aspak. Sepse ata janë artistë dhe artisti mat me zemër! Mirënjohje për muzikën dhe mbështetjen e dhuruar.
Si ishte puna me Pali Kuken, është ai “regjisori i mrekullive” edhe në ditë të vështira për artin dhe televizionin?
Martin Leka: Pali është pikësëpari një njeri i mrekullueshëm. Kjo kohë e vështirë demonstroi iniciativa që arsyeja edhe mund t’i përjashtonte. Bashkëpunimi në vijimësi, sepse nuk është i pari, me regjisorin Pali Kuke, i dha dimensionin që meriton Festivalit, duke sfiduar të pamundurat, me të cilat na përballi kjo kohë.
Ky festival pati dhe komente për veshjet e veçanta të Mirud dhe transparencën e Xhesika Polos. Nga ana komerciale, mendon se situata të tilla i japin vëmendje ndryshe festivalit?
Martin Leka: Nuk dua të bëj asnjë krahasim të këtyre komenteve naive apo dashakeqe, apo të liga, me atë që të vjetrit i thoshin “me i vu brekë kokrrës së vezës”. Asnjëri nga të dy nuk e fyen skenën me performancë, madje vokalisht e vizualisht u prezantuan si artistë. Kaq!
Vitin tjetër, Festivali i Këngës feston 60-vjetorin. Nëse mund të fillojmë ta imagjinojmë këtë jubile, si mund të jetë një festival i tillë?
Martin Leka: Unë kam idetë e mia, por kjo është vetëm imja! Në idetë i vëmë në tavolinë dhe i diskutojmë me profesionistë të fushave, ndaj nuk do ishte korrekte të flisja për ide tani. Por ju siguroj: Festivali i 60-të do të jetë siç i ka hije një vlere, që vetëm përsoset e bëhet model!
/Panoramaplus.al/Nga Klotilda Harka