Festivali i Këngës/ Manjola Nallbani zbulon emrat e këngëtarëve që pretendonin kupën përveç saj

Këngëtarja Manjola Nallbani ka reaguar pas mbylljes së Festivalit të 56-të të Këngës në RTSH, ku konkurroi me këngën me titull “I njëjti qiell”. Në një status të gjatë në Instagram, Manjola është shprehur e penduar për rikthimin e saj në FIK, kur ajo akoma nuk ka një informacion se në ç’vend është renditur pas votimit të jurisë. Më poshtë lexoni statusin e plotë të Nallbanit për festivalin që shpalli fitues Eugent Bushpepën, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion:
Arsyeja kryesore pse po shkruaj pas festivalit është të falënderoj me gjithë shpirt publikun, që më dha aq dashuri dhe mbështetje, duke qenë e vetmja këngë që u kthye në të 2 netët e konkurrimit. Një kënaqësi bashkëpunimi me talentin Elgit Doda, që krijoi muzikën dhe Rozana Radin për ato vargje aq të bukura, që i këndova e i ndjeva në çdo gërmë! Talent si gjithmonë Enada At’Nikolla në realizimin e veshjes. Falënderoj me shpirt secilin nga ju miqtë e mi për vlerësimin, mbështetjen dhe urimet që më keni bërë kudo dhe pse pjesa më e madhe e mbështetësve të mi, nuk janë moshë dhe kategori që të kalojnë ditën duke bërë like e komente në rrjete sociale. Fundja ky është qëllimi i gjithë karrierës sime, që t’ju jap emocione të bukura përmes zërit dhe shpirtit tim. Nuk kam asgjë me fituesin, sepse Eugenti është këngëtar shumë i mirë e kënga ishte e bukur, po një gjë nuk kuptova: po kaq këngëtarë e këngë shumë të mira ishin dhe Elton Deda, Mariza Ikonomi, Redon Makashi e ndonjë tjetër dhe sigurisht kënga ime “I njëjti qiell” po për asnjë nga këto nuk kisha dëgjuar që do të ishin fitues që para 20 ditësh si për fituesin aktual, megjithëse këngë fituese apo jo, kuptohet vetëm në momentin kur këngëtari këndon “live” në skenë. Këtë shqetësim e kam ndarë më këdo që kam folur e takuar shumë ditë para festivalit! Ndoshta rikthimi im ishte i nxituar derisa as këtë vit, nuk pata asnjë surprizë kur u tha çmimi i parë, siç ndodhte dikur. Megjithatë reagimi dhe dashuria juaj janë arsyeja e vetme që më bënë të mos pendohem deri në fund që iu riktheva festivalit! Sa për jurinë, unë akoma sot nuk di e sata u rendita në këtë festival! Kaq e kisha detyrim për veten time ta shkruaja. Ju uroj festat e qofshi të lumtur bashkë me njerëzit tuaj të dashur!”, përfundon statusin e saj Manjola Nallbani.