Festivali i Librit – Bukinist 2021, festë për autorin dhe përkthyesin
Albert Gjoka*
Pas përfundimit të Panairit Online të Librit në muajin nëntor 2020, i realizuar në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, Bukinist lançon një tjetër aktivitet të rëndësishëm për librin, “Festivali i Librit – Bukinist 2021”, i cili do të zhvillohet përgjatë gjithë muajit prill.
Ky muaj përkon me dy data të rëndësishme: Ditën Botërore të Librit për Fëmijë, më 2 prill dhe Ditën Botërore të Librit, më 23 prill. Këto dy data shënojnë edhe kujtesën për tre autorë të shquar të letërsisë botërore: Hans Kristian Andersen, Uilliam Shekspirin dhe Servantesin.
Për të gjitha këto arsye, platforma Bukinist.al, me mbështetje të One Telecommunications, ka vendosur që të organizojë një panair online për autorin dhe përkthyesin, të cilët meritojnë më tepër mirënjohje nga të gjithë; që nga lexuesit, librarët, botuesit, bota e biznesit dhe institucionet që bëjnë politika kulturore.
Janë rreth 90 autorë dhe përkthyes të cilët përgjatë një muaji do të vijnë virtualisht para lexuesit, me librat dhe përkthimet e tyre. Ata do të komunikojnë dhe do të ndërveprojnë me lexuesin përmes platformave virtuale dhe do të sjellin veprat e tyre më të fundit. Janë shkrimtarë të njohur shqiptarë që jetojnë këtu, në Kosovë apo diasporë; autorë të rinj, të cilët sapo kanë sjellë veprat e para te lexuesi dhe që kanë nevojë për mbështetje.
Gjatë zhvillimit të bisedave, të cilat do të përcillen edhe në rrjetet sociale të Bukinist në Facebook, Instagram dhe Youtube, janë të mirëpritura ndërhyrjet dhe komentet e ndjekësve tanë apo partnerëve të festivalit. Veprat e autorëve në fokus do të jenë në oferta ditore përgjatë gjithë muajit prill. Prandaj, mos e humbisni rastin të merrni librat e autorëve tuaj të preferuar me ulje çmimi gjatë kësaj periudhe.
Në këtë panair online nuk do të mungojnë as ofertat për lexuesit e grupmoshave të ndryshme për kategoritë në fokus gjatë muajit prill: Librat më të shitur, librat e rinj, përrallat, enciklopeditë dhe ofertat ekskluzive që do të shkojnë nga 20-60% ulje.
E veçanta e këtij festivali do të jetë edhe mundësia për të blerë librat më të mirë të botuara gjatë vitit 2020, me çmime konkurruese. Te blogu Leximtari.al ka nisur votimi online që prej 16 shkurtit të këtij viti për librat e përzgjedhur në gjashtë kategori: Libri për fëmijë, poezia shqipe, romani shqip, romani i përkthyer, libri non-fiction dhe libri i motivimit dhe zhvillimit personal. Për secilën prej kategorive janë përzgjedhur nga 7 libra.
Më datën 2 prill, pikërisht në hapje të Festivalit të Librit Bukinist 2021, do të shpallin fituesin për “Librin më të mirë për fëmijë”, botuar gjatë vitit të kaluar. Për pesë kategoritë e tjera, fituesit do të bëhen të ditur më datën 23 prill 2021. Të gjithë lexuesit që marrin pjesë në votim për “Libri më i mirë për fëmijë”, përfitojnë kupona dhe surpriza të tjera.
Ky është viti i pestë radhazi që Bukinist dhe Leximtari zhvillojnë votimin online për librin më të mirë të botuar gjatë vitit paraardhës nga shtëpitë botuese shqiptare. Ky konkurs mbetet një formë aktive për të promovuar librin shqip, ku vlerat më të mira dalin nga shijet që kanë lexuesit të cilët marrin pjesë në votimet online tek Leximtari.
Panairi online do të ketë edhe shumë surpriza të tjera: Do të vazhdojë “Bukinist Book Club”, një hapësirë e ndërtuar për lexuesit dhe të pasionuarit pas librit. Tashmë, Bukinist ka komunitetin më të madh dhe më aktiv të lexuesve, prandaj do të vijojmë me mbështetjen e fortë për secilin prej tyre, me konkurset, mini-konkurset e përshtyjpeve, lojërat shpërblyese, etj.
One Telecommunications i bashkohet “Festivalit të Librit 2021” me dëshirën për të promovuar leximin dhe librin në Shqipëri. Edukimi vjen përmes leximit. Me këtë qëllim, One ka mbështetur vazhdimisht iniciativa që nxisin rritjen e kapaciteteve dhe kulturën.
“Festivali i Librit – Bukinist.al” e nis këtë rrugëtim me synimin ambicioz për t’u bërë një prej festave më të bukura për krijuesit dhe përkthyesit tanë, të cilët e kanë pasuruar librin shqip me punën e tyre, dhe përmes tij, edhe botën tonë mendore dhe shpirtërore.
*Autori i shkrimit është menaxher i platformës Bukinist.al