Ferri i flakëve/ Astriti, shqiptari “hero” në Greqi: U ndjeva si për atdheun tim (VIDEO)
Miqtë e tij e quajnë Apostolis, por emri i tij i vërtetë është Astrit, me origjinë nga Shqipëria dhe jeton në Greqi për gati tridhjetë vjet.
Shumë banorë kanë luftuar e luftojnë këto ditë me flakët në shumë zona të Greqisë për të shpëtuar pronat e tyre , shtëpitë e gjithçka tjetër me vlerë edhe kur dukej se do ta humbnin betejën. Është tepër tronditëse përpjekja e Apostolit për të shuar zjarrin që po i afrohej shtëpive në Evia, duke përdorur vetëm një degë peme.
Siç shihet në video, ai i ngjitet edhe gardhit me tela me gjemba dhe me një degë të thyer, ai lufton për të shuar zjarrin, duke fituar kohën e mjaftueshme për të mbërritur një makinë zjarrfikëse në vend dhe të shuajë flakët.
Duke folur në kanalin privat Open, Apostolis iu referua veprimit të tij, duke thënë se “ndjeva se po digjej shtëpia jonë, prona e të gjithëve dhe hyra brenda”. “U ndjeva si për atdheun tim, jam këtu për 29 vjet dhe bëra çmos për të shuar zjarrin. Arritëm në pikën e fundit dhe thashë se duhet të shpëtojmë. Ndjej se kam një detyrim ndaj këtij vendi ”, shprehet ai në mënyrë karakteristike./Top Channel