Femfest/ Nata e katërt promovim dhe kujtesë
7 marsi shënoi ditën e katërt të Festivalit me kryefjalë gruan dhe diskutimet mbi problemet me bazë gjinore.
Paraditja nisi me promovimin e librit të botuar me veprat e shkruara të tre dramaturgeve të reja që ju përgjigjën thirrjes së shoqatës “BASH ART” sëbashku me nëntë të rinj e të reja të tjera. Veprat e tyre u përzgjodhën nga një bord artististik të përbërë nga emra të njohur të artit skenik për t’i dhënë një mundësi më shumë dramaturgjisë dhe autorëve të rinj shqiptar. Njëra prej veprave u përzgjodh për Festivalin e të rinjve në Teatrin e Metropolit, ndërsa po shihet mundësia që dy të tjerat të trajtohen në teatro të tjerë.
Pasditja rezervoi një tjetër takim të veçantë, promovimin e ekspozitës dhe katalogut, ku u përfshinë 44 gra të njohura të artit skenik në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, të cilat nuk janë më midis nesh. Artistë e personalitete të njohur të teatrit dhe kinemasë, si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, Adelina Tahiri, Drita Begolli, Igbale Qena, Arbnesha Nixha etj, ishin të pranishme sëbashku me familjarë të të ndjerave për të nderuar kujtimin e tyre.
Mbrëmja u mbyll me shfaqjen “Çertifikata e martesës” me regji të Driada Dervishit, në një sallë të mbushur plot. Të ardhurat nga biletat e të gjitha shfaqjeve të Femfest, shkojnë për pesë bursa studimi, për pesë studente të Universitetit të Arteve.