Fatmira Breçani: Përtej çdo vështirësie, humbja e nënës ka qenë më e madhja
Mbrëmja e djeshme në ekranin e ABC ka qenë një festë e vërtetë, teksa në emisionin “E ardhmja është vajzë”, Aurela Gaçe dhe Fatmira Breçani janë bërë bashkë me rastin e Pavarësisë së Kosovës, ku jo vetëm kanë treguar historitë e tyre, por kanë performuar disa prej këngëve më të njohura të të gjithë Shqiptarisë.
Përtej emocioneve që kanë sjellë me këngët e tyre, artistet kanë rrëfyer për autoren dhe moderatoren Ermira Çausholli, ashtu siç ndodh në çdo puntatë të emisionit, pjesë nga jeta personale dhe karriera.
Në rubrikën “Në mundsh”, Fatmira tregoi për njërën prej vështirësive më të mëdha që ka kaluar, e cila ishte ndarja nga jeta e nënës së saj. Këngëtarja e njohur tha se përtej çdo vështirësie që kanë kaluar, kjo ka qenë më e madhja. Kjo pasi e ëma kishte qenë në moshë tepër të re kur ishte larguar nga jeta, ndërsa pak kohë para kësaj humbje edhe babai i saj ishte ndarë nga jeta.
“Kur ka ndërruar jetë nëna kam qenë më e pjekur në moshë. Ne kemi qenë shumë fëmijë, por humbja e saj ka qenë diçka shumë e madhe për mua sa që edhe sot, kur kanë kaluar shumë vite, ende e mendoj.”
Breçani tha se largimi i saj ishte i papritur, pasi ndërroi jetë nga një hemoragji cerebrale. E emocionuar, Fatmira tha se nëna, po ashtu edhe babi i saj kanë kënduar, ndërkohë që tregoi se mamaja gëzohej kur e dëgjonte duke kënduar, por po ashtu edhe merakosej për të pasi në atë kohë mentaliteti ka qenë i ndryshëm.
Për të ka mbetur peng që prindërit nuk e kanë parë kur ka nisur karrierën si këngëtare, ashtu si duhet dhe gjithmonë ka dashur që ata të jetojnë edhe pak që ta kishin shijuar./abcnews.al