Fansat mendojnë se kënga e re e Ylli Limanit është shumë e ngjashme me këngën e The Weeknd
Nuk e dimë çfarë dhurate mori Ylli Limani për 26-vjetorin e tij sot (shumë urime Ylli!), megjithatë ai vendosi të na bëjë një dhuratë të gjithëve duke publikuar këngën më të re “Buzët e kuqe”. Ylli i këndon një vajze të cilën “nuk e ka” më, por ende është xheloz për të, ndërkohë që nëpër këngë i kërkon të mos i lyejë buzët e kuqe kur del dhe quan vete vazhdimisht idiot. Pra gjërat e zakonshme…
Gjithsesi, duke lexuar komentet e fansave të këngëtarit (që në shumicë janë pozitive) vihet re se ata mendojnë që kënga e Yllit është e ngjashme me “Blinding Lights” nga The Weeknd. Disa prej komentuesëve mendojnë se artisti është The Weeknd-i shqiptar (prandaj dhe kënga duket e ngjashme), dikush tjetër mendon se është frymëzuar nga këngëtari kanadez, të tjerë e akuzojnë për vjedhje, ngjashmëri të madhe, bëjnë shaka me Spotify-n dhe emrin në shqip të The Weeknd.
Nuk do ishte çudi që Ylli (i cili sipas përshkrimit zyrtar është krijuesi i muzikës) të jetë frymëzuar nga “Blinding Lights” për këtë këngë ose ndoshta nga vitet 80′, periudhë që vitin e fundit ka frymëzuar shumë artistë për projektet e tyre. Dhe “Buzët e Kuqe”, si këngë, koncept e vibe, duket sikur i përket këtij grupi këngësh.
/News31