Fan S. Noli: Duhet të vdesësh kur përfundon pjesa e bukur e jetës tënde!
Prift, përkthyes, publicist, diplomat, poet, studiues i muzikës, shtetar dhe historian i njohur. Fan S. Noli qysh në moshën 21 vjeçare e përktheu në greqisht një nga veprat monumentale të letërsisë shqipe “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” të Sami Frashërit.
Tre vite më pas, me një biletë anijeje të klasit të dytë, me aspirata dhe ide të qarta, Fan Noli mbërrin në Amerikë. Me nismën e tij, themeloi Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Qysh në moshën 28 vjeçare u shugurua si prift ortoks. Për herë të parë mbajti liturgji në gjuhën shqipe në ‘Knights of Honor Hall’ në Boston.
Noli u bë prijës ideologjik i shqiptarëve. Me dëshirë e fortë për arritje, në shkurt të vitit 1909, filloi me botimin e Gazetës “Dielli” në Boston.
Tre vjet më pas, bashkë me Faik Konicën u bënë themeluesit kryesor të shoqatës pan-shqiptare Vatra.
Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj.
Në fakt, kontributi më i madh i Fan Nolit qe ai i stilistit, siç shihet ndër përkthimet e tij. Bashkë me Faik Konicën, mund të vlerësohet si njëri ndër stilistët më të mëdhenj të dialektit Toskë.
Afria që kishte me gjuhët e huaja, e aftësoi ta bënte shqipen një gjuhë të stërholluar dhe elegante, ndonëse pak folklorike.
Noli përktheu mjaft autorë amerikanë dhe europianë të shek. XIX. Duke vënë në punë veshin muzikor, mundi të pasqyronte stilin dhe ngjyrat e ritmit të origjinalit.
Një njeri me kulturë të pamasë, diplomat i përkryer, ekspert i politikës ndërkombëtare, mjeshtër i debatit, që prej fillimit ai la mbresa të thella ngado.
Me veprat e tij letrare, përkthimet, e edhe kontrubutin e tij si krijues i muzikës, Noli radhitet në panteonin e letrave shqipe dhe kulturës kombëtare.
Në vazhdim ObserverKult ua sjellë disa thënie të zgjedhura nga Fan S. Noli:
– Këngën e lirisë… asnjë saze s’e lot dot përveç dyfeqeve.
– Moti i ri mos të të gjejë vetëm një mot më plak, po dhe një mot më të mençur.
– Të mos e bëjmë rrojtjen tonë vdekje të përditshme, por ta bëjmë luftë dhe punë.
– Duke mësuar jetën e një autori, mund të kuptosh më mirë veprat e tij.
– Me të vërtetë, janë të lumtur njerëzit që vdesin tamam atëherë kur merr fund pjesa më e bukur e jetës së tyre.
-Çdo komb çlirohet me përpjekjet e veta.
– Ne jemi shqiptarë dhe e kemi për detyrë të mbetemi siç qemë prej kohe stoli e maleve të larta dhe të qiellit.
– Shpesh urtësia e do që t’i trajtojmë me buzëqeshje gjërat më tronditëse dhe më tragjike.
-Të rrojmë me dobi, të vdesim me dobi.
– Njeriu mund të zgjedhë cilëndo fe që ka trashëguar prej stërgjyshërve dhe që i pëlqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë të tijën, pa vënë në ballë një vulë të madhe prej “tradhtari”.
Përgatiti T.K/ : ObserverKult