“Familjen tënde ose Visin”, si u nxor në pritë Ervis Martinaj, a është ekzekutuar edhe bashkëpunëtori që e tradhtoi?
Policia e Lezhës ka arrestuar ditën e sotme agjentin e Forcave të Posaçme Operacionale, 28-vjeçarin Jeton Lami, pasi akuzohet se i ka ofruar ndihmë dhe ka transportuar të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur dhe pa asnjë kontakt me familjen e tij.
Efektivi Lami dyshohet se e ka transportuar Martinajn nga Lezha në Laç, Shkodër apo në Vlorë gjatë kohës që ai ka qenë në kërkim, pas zhvillimit të operacionit “Plumbi i artë”.
Përveç Lamit, ka dyshime që Martinaj është ndihmuar edhe nga punonjës të Komisariatit të Fushë-Krujës.
Ndërkohë, sipas burimeve pritet të arrestohet edhe një efektiv tjetër i repartit RENEA. Po ashtu edhe ky i fundit, dyshohet se ka ndihmuar Martinajn.
Por kjo është vetëm një pjesë e ngjarjes që lidhet me Ervis Martinajn.
Sipas informacioneve që ka Policia e Shtetit ngjarja është shumë më e thellë se kaq.
Një burim i tha Vox News se Martinaj është shoqëruar dhe nga një tjetër ish-polic që mendohet se është ekzekutuar.
Sipas të njëjtit burim grupet rivale të Ervis Martinajt kanë shkuar në familjen e ish badigardit të tij dhe e kanë kërcënuar se do t’i zhdukin familjen nëse nuk ua nxjerr në pritë.
Ish-polici që luante rolin e badigardit është takuar me rivalët e Martinajt dhe kanë rënë dakord për bashkëpunimin kundrejt një shume të madhe parash.
Sipas versionit që ne disponojmë badigardi i ka thënë Ervis Martinajt se është kapur peng një nga rivalët e tij dhe duhet të shkojnë ta ekzekutojnë.
Kjo ka qenë rruga e fundit e Martinajt pasi ka shkuar në gojë të ujkut.
Aty është marrë peng dhe sipas medias është keqtrajtuar dhe më pas ekzekutuar.
Por grupet që e nxorën në kurth nuk janë mjaftuar me kaq.
Në momentin që do t’i jepnin shpërblimin tradhtarit që e nxori në pritë e kanë vrarë dhe badigardin e tij.
Për shkak se ngjarja është në hetim dhe shumë sensitive nuk po publikojmë emrat e personave të përfshirë.
Versioni më lartë edhe pse i thënë nga burime jo zyrtare policore mbetet për t’u verifikuar nga organet kompetente.
Rreth dy javë më parë, xhaxhai i Ervisit, Faik Martinaj, ka denoncuar në Komisariatin e Policisë Lezhë se ka humbur kontaktet me nipin.
Kujtojmë se në korrik të vitit 2021, teksa përfundoi hetimet për vrasjen e Santiago Malkos, SPAK nënvizonte se plani ishte ekzekutimi edhe i Ervis Martinajt por s’kanë mundur ta gjejnë atë edhe pse kishin informacion se kishte udhëtuar në Spanjë apo Turqi.
Ervis Martinaj është në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani i cili ka thënë se Martinaj e kishte paguar për të vrarë Indrit Doklen. Ai ka thënë se 500 mijë euro do paguante Ervis Martinaj për këtë vrasje. Vetë Nuredin Dumani ka thënë se ka marrë porosi nga Ervis Martinaj për ta vrarë, ka rënë dakord që Ervisi të jepte për vrasjen e Indritit shumën prej 500 000 Euro dhe se ka marrë paradhënie shumën prej 100 000 Euro.
Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin. /Vox News/