Familja tërheq trupin e Lear Kurtit, 32-vjeçari dyshohet se vdiq pasi gëlltiti qesen me kokainë
Ky është momenti kur familja tërheq nga morgu i spitalit trupin e Lear Kurtit, 32-vjeçarit i cili humbi jetën gjatë natës pas shoqërimit nga policia. Sipas burimeve nga mjekësia ligjore, pas kryerjes së ekspertizës paraprake rezulton se i riu ka ndërruar jetë si pasojë e overdozës.
Në stomakun e tij është gjetur një përmbajtje plastike disa centimetra ku dyshohet se viktima ka gëlltitur lëndën narkotike. Kjo substancë është dërguar për analiza të mëtejshme për të vërtetuar nëse ka qenë kokainë apo jo. Gjithashtu ekspertiza shprehet se në stomakun e 32-vjeçarit ka shenja hemorragjie.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në njoftimin zyrtar bëri me dije se Lear Kurtit i është kërkuar që të paraqiste dokumentet e identifikimit, por ai është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.
Ai ka shfaqur probleme shëndetësore dhe menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.
Klan News