Familja kundër, e divorcuar dhe me fëmijë: Modelja 23-vjeçare i përloti të gjithë
Njëra prej konkurrenteve të emisionit “She’s on Top”, Silvi, ka rrëfyer për publikun historinë e saj duke i përlotur të gjithë në emision. 23-vjeçarja tregoi se është bërë nënë në moshë shumë të re, megjithëse familjen e saj e kishte kundër.
Pas lindjes së djalit, ajo u divorcua me bashkëshortin dhe “përralla” e saj s’kishte qenë aq e bukur, siç tregon Silvi. “Kam ikur shumë e vogël nga Shqipëria në Zvicër, jetova atje deri në moshën 16 vjeç. Erdha me pushime dhe shkova në Kosovë. Aty njoha dikë që u bë më pas bashkëshorti. Kalova shumë peripeci nga ana e familjes sime dhe shkaku kryesor ishte mosha ime e vogël.
Ndenja gati 1 vit pa pasur kontakt me familjarët. E përjetova shumë keq sepse në një moment nuk e mendova gjatë dhe thashë hë se do më flasin, por ishte periudha ime më e keqe. Më pas mbeta shtatzënë, nuk e mendoja dot abortin.
Qaja pafund, u gëzova dhe vendosa ta mbaja. Familja akoma nuk më flisnin, derisa e morën vesh që isha shtatzënë. Pashë në telefon që po më merrte një numër shqiptar dhe në momentin e parë më erdhi në mendje motra dhe kur kam dëgjuar zërin e mamit, 1 orë kemi qarë.
E kishin marrë vesh që isha shtatzënë. Më tha shpresoj të më kuptosh tani e mbrapa se ç’është fjala nënë dhe pse je shumë e vogël. Atë fjali do e mbaj gjatë në mendje. Më pas ajo u bë mbështetja ime më e madhe. Kisha rrezik dështimi nga muaji i katërt në muajin e nëntë dhe bëja një serum 8 orë për ta mbajtur bebin.
Mami rrinte 8 orë me mua në telefon derisa unë të mbaroja serumin. Mbaj mend kur dola nga salla e operacionit dhe kur erdhi ish-bashkëshorti me bebin në dorë, ma vendosën në kraharor dhe nuk mund ta hiqja. Pas 3-4 ditësh pësova trombozë dhe ndenja 2 muaj e shtruar. Nuk ma lejonin djalin ta fusja në spital dhe ishte tortura ime më e madhe.
Pasi dola nga spitali kishim disa probleme për shkak të familjes së atij dhe unë nuk i tregoja të shtëpisë sepse nuk e merrja guximin. U ftohën shumë gjërat, unë isha e sëmurë dhe ai më jepte një stres që ma shumëfishonte dhe mendova të ndahesha.
Një ditë u zgjova, ai iku për punë, unë vesha djalin dhe lajmërova babin. I thashë duhet të vish patjetër dhe kur erdhi i thashë që unë do iki nga kjo shtëpi dhe nuk u ktheva më”, tregoi Silvi.