“Familja greke thotë jo”, reagimet për projektligjin për martesat e të njëjtit seks
Lajmi për miratimin e projektligjit për martesat e të njëjtit seks në parlamentin grek ka bërë xhiron e internetit, ku shumë media ndërkombëtare flasin për një “moment historik”.
“Greqia u bë vendi i parë ortodoks që legalizoi martesën e çifteve të të njëjtit seks”, thuhet në artikullin e gazetës britanike “The Guardian”. Në artikullin që postoi në faqen e saj të internetit pas miratimit të projektligjit, BBC u përqendrua edhe në pararojën e Greqisë midis vendeve ortodokse, duke kujtuar megjithatë se projektligji shkaktoi ndarje dhe u përball me rezistencë të fortë nga kisha.
Një artikull i Bloomberg thotë se “parlamenti grek votoi për t’u dhënë të gjithë 10.5 milionë qytetarëve të vendit akses në barazinë martesore dhe të drejtat prindërore, duke lejuar çiftet e të njëjtit seks të birësojnë”.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis është përgëzuar nga disa vende europiane për miratimin e projektligjit. Ai theksoi se është një vendim historik për vendin dhe u shpreh krenar që e ka prezantuar projektligjin si kreu i qendrës së djathtë. Ligji u jep çifteve të të njëjtit seks të drejtën për t’u martuar dhe birësuar fëmijë dhe vjen pas dekadash fushate nga komuniteti LGBT për barazinë martesore në vendin socialisht konservator.
“Jam shume i lumtur. Si dikush që jam rritur në fshat, kjo është një ëndërr që e kam pritur për shumë vite, ashtu si të gjithë ne. Tani kemi edhe më shumë të drejta.”
Për shumë të tjerë ky miratim do të thotë shembje të bazës së familjes.
“Përparimi thotë po, familja greke thotë jo.”
“Nuk jam plotësisht e sigurt, ka shumë gjëra që duhen dhënë prioritet, derisa të arrijmë deri në këtë pjesë. Unë mund të jem në rregull me këtë për sa kohë që janë zgjidhur gjëra të tjera shumë të rëndësishme.”
“Unë jam kundër, koncepti i familjes është shembur, ne kemi të drejta individuale, por këto nuk mund të institucionalizohen dhe të prekin të gjithë në shoqëri.”
Për disa nga kundërshtarët më të ashpër të këtij projektligji përfshirë edhe fraksionet më konservatore, miratimi i martesave të të njëjtit seks dhe më pas birësimi i fëmijëve, është një përjashtim nga bashkësia fetare, ndërsa kanë deklaruar se do t’a çojnë në gjykatë këtë projektligj.
Një nga pasojat e prezantimit të suksesshëm të projektligjit të barazisë martesore nga qeveria e qendrës së djathtë të Mitsotakis është se ai mund të inkurajojë më shumë vende në bllokun lindor të Evropës, si dhe më shumë kabinete të krahut të djathtë, të ndjekin shembullin dhe të marrin në konsideratë politika të ngjashme gjithëpërfshirëse.
Lajmi tashmë ka krijuar mjaft bujë në Itali, e cila deri më sot njeh vetëm bashkime civile për çiftet e të njëjtit seks, si dhe në Republikën Çeke, e cila aktualisht po debaton për prezantimin e një projektligji të ngjashëm. 15 nga 27 anëtarët e Bashkimit Europian kanë legalizuar tashmë martesat e të njëjtit seks. Greqia deri më tani ka mbetur prapa disa prej fqinjëve të saj europianë, kryesisht për shkak të kundërshtimit të Kishës. Gjithashtu është vendi i parë në Europën Juglindore që ka barazi martesore.
Klan News