Fakte misterioze që bashkojnë celebrimet e Olta Gixharit dhe Aurela Hoxhës pas shpërnguljeve në Spanjë

Aktorja Olta Gixhari dhe modelja Aurela Hoxha, edhe sikur ta kishin lënë me fjalë, nuk do të kishin pasur fakte kaq të njëjta që i bashkojnë në jetët e tyre, ato të përbashkëta të rëndësishme, celebrimet në Spanjë.

Të dyja po mbajnë sekret identitetet e partnerëve, janë bërë nëna djemsh dhe tashmë janë shpërngulur në Spanjë për të jetuar. E nisim nga modelja Aurela Hoxha dhe partneri i saj, biznesmeni milioner nga Miloti, me të cilin u bënë prindër për herë të parë para disa muajsh.

Çifti mirëpritën në jetë një djalë, të cilin e quajtën Alaron. Gjithë periudhën e shtatzënisë, Aurela Hoxha nuk ndau me ndjekësit në “Instagram” asnjë foto ku të konfirmonte lajmet se ishte në pritje të ëmbël deri pas lindjes së tij, duke e lënë gjithçka në mister të plotë. Gjatë një interviste, modelja zbuloi se gjatë kësaj periudhe ka qenë në Shqipëri dhe ka udhëtuar, por nuk e ka parë të arsyeshme të hedhë imazhe në rrjetet sociale.

“Në fakt, nuk kam shumë kohë të rri në ‘Instagram’, kam parë komente për fshehjen e shtatzënisë dhe më duket pak absurde. Fakti që nuk e kam publikuar në ‘Instagram’, nuk do të thotë që e kam mbajtur sekret. Kam ardhur në Shqipëri, kam udhëtuar, kam dalë në restorante, në Bllok, njerëzit e mi e kanë parë të gjithë. Por jo detyrimisht e kam parë të arsyeshme të hedh një foto. Ka shumë gjëra të jetës sime personale që nuk i hedh, por s’do të thotë që i mbaj sekret, thjesht në ‘Instagram’ publikoj gjëra që i mendoj të arsyeshme. Në momentin që kam publikuar Alaronin, s’e kam bërë si prezantim, thjesht si një nga momentet e bukura që po kaloja. E kam kaluar shtatzëninë time shumë e lumtur, krenare. S’mund të mbahet një fëmijë sekret”, u shpreh ajo në “Natën me Aulonën”.

Por komentuesit nuk ndalën me kaq, duke thënë se kjo nuk është plotësisht e vërtetë, pasi ajo s’është se ngriu “Instagram”-in që ta besojmë, por ajo hidhte foto të vjetra, ku “përgënjeshtronte” në mënyrën e saj lajmet se ishte shtatzënë. Gjithsesi, duke folur për shtatzëninë Aurela Hoxha tha se momenti kur ka parë Alaronin, ka qenë më i bukuri në jetën e saj, duke shtuar se deri atë ditë nuk e kishte provuar lumturinë.

Modelja tregoi se shtatzënia nuk ka qenë e planifikuar dhe ka zbuluar lajmin se do bëhej nënë në një moment kur nuk e priste. Ajo u shpreh se është një nënë, e cila kujdeset 24 orë për djalin e saj.

“Më duket shumë e çuditshme që jam bërë nënë, s’jam mësuar akoma. Është katër muajsh. Do guxoja të thosha që kanë qenë ditët më të bukura të jetës sime, s’kam kaluar diçka më të bukur, është e jashtëzakonshme. Nuk e kam provuar lumturinë dhe dashurinë e vërtetë derisa kam parë Alaronin.

Me Alaronin jam 24 orë vetëm unë, kujdesem vetë për të. Nuk e mendoja, por për fat të keq po, deri aty saqë edhe mamit tim i them: ‘Jo ti nuk di ta mbash”, më duket sikur kam kaluar një jetë dhe di, por ndoshta është instinkti që të vjen natyrshëm. Më duket sikur vetëm unë di ta mbaj, ta qetësoj. Nuk ishte e planifikuar, e kishim menduar, por ishte ideja kur të vinte të vinte. Muaji kur e zbulova se isha shtatzënë nuk e prisja, se muaj të tjerë kam bërë edhe testin, por atë muaj s’kisha shqetësime. U surprizova, qeshja, qaja. Nuk e besoja, shqetësimet më kanë filluar vonë. Isha me partnerin kur e morëm vesh”, tha Aurela Hoxha.

Ndërsa pyetjes përse s’ka prezantuar akoma me ndjekësit partnerin e saj, ajo iu përgjigj: “Është njëjtë si me Alaronin, do jetë një moment që do vendos ta publikoj, nuk është diçka që e ndjej sikur jam e detyruar me publikun që duhet t’i prezantoj partnerin. S’e kam ndjerë asnjëherë këtë, as kur kam marrë shumë komente. Fakti që kam një jetë publike është për profesionin që kam pasur, kjo s’do të thotë që ai e do këtë gjë.

S’do thosha që ai nuk e do apo e do këtë, por ai ka respektuar zgjedhjet e mia, është totalisht zgjedhje e imja që unë ta publikoj kur ta ndjej dhe jo kur të kem presionin e publikut, njerëzve. Do vijë mbase momenti. Me ‘Alaronin’ e madh, se kam dy tani në shtëpi, është një njeri që rrallëherë më nervozon dhe kur e bën di të më qetësojë, është njeri i mirë, edhe ajo që vlerësoj më shumë është shpirti dhe mënyra se si më bën të ndjehem, ndihem e plotësuar kur jam me të, më mjafton”.

Modelja Aurela Hoxha publikoi për herë të parë foto me fëmijën e saj para ca javësh, por u kujdes që të mbante të fshehtë partnerin milioner, duke mos publikuar as foto e jo më identitetin e tij. Ashtu papritur, ajo shpërndau disa foto në “Instastory” teksa mbante fëmijën në krah, bashkë më disa foto në plazh, ku tregonte format e rikthyera pas lindjes në një kohë rekord.

Të shumtë ishin miqtë dhe ndjekësit që uruan modelen, e cila tashmë është bërë nënë, një lajm që u publikua para pak muajsh, por që Aurela e konfirmoi vetëm më pas. Kjo ishte hera e parë që modelja publikoi një foto të fëmijës së saj të parë, ndërkohë që është ndër të rrallat vajza të njohura që e mbajti shtazëninë të fshehtë, pasi nuk postoi asnjë foto në “Instagram” me barkun e rrumbullakosur.

Jeta e re në Spanjë e detyroi Aurela Hoxhën që ajo ta fshehë këtë lajm të gëzueshëm. Burime pranë saj treguan për “Panorama Plus” se ajo ishte duke u marrë me procedurat ligjore të celebrimit dhe marrjes së rezidencës në Spanjë dhe ka qenë një sugjerim i avokates, që ajo mos të publikonte detaje nga jeta e saj private, pasi mund t’i prishin punë.

Aurela ndoqi partnerin e saj, Albanin, për të jetuar në Spanjë, por pas një ndarjeje të shkurtër që patën, modelja u rikthye në Shqipëri. Megjithatë, çifti arriti të zgjidhte mosmarrëveshjet me njëri-tjetrin dhe u rikthyen sërish bashkë. Kujtojmë që në ditën e Shën Valentinit, Aurela tregoi se ajo dhe partneri kanë gjashtë vite bashkë, ndërsa ndau edhe një moment të bukur me të në “InstaStory”.

Mirëpo, edhe në atë rast u pendua dhe e fshiu postimin shumë shpejt, duke qenë se në raste të tilla legalizimi i dokumenteve në Spanjë monitorohet edhe rrjetet sociale të aplikantëve. Fotot e vetme ku Aurela shihet pranë partnerit u publikuan kur “Panorama Plus” arriti të siguronte fotot e çiftit teksa pushonin në plazhet e Jugut.

Modelja, e cila vetëm pak kohë më parë tregoi planet për dasmë, u rikthye në Shqipëri në fund të vitit që lamë pas, për të udhëtuar sërish drejt Spanjës në fillim të janarit.

OLTA GIXHARI DHE ARSYEJA PSE S’E BËN PUBLIK PARTNERIN

Ndërkohë, edhe aktorja Olta Gixhari po shijon ditët më të lumtura në krah të partnerit të saj misterioz dhe djalit të tyre, Amar. Çifti u bënë prindër për herë të parë në gusht të vitit të kaluar, megjithatë aktorja ka vendosur që të mos zbulojë as imazhin e djalit dhe as të partnerit. Dhe arsyeja është bashkëshorti i saj, i cili nuk e lejon të publikojë foto pasi i marrin më sysh.

“Nuk më lë burri ta shfaq as atë, as çunin. Na marrin më sysh thotë”, iu përgjigj Olta Gixhari ndjekësve, gjatë një bashkëbisedimi online. Aktorja u shpreh se u largua nga Shqipëria pasi ra në dashuri me partnerin misterioz dhe mendon se është më mirë për të të rrisë djalin në Spanjë.

“U largova nga Shqipëria sepse rashë në dashuri. Por mendoj se është shumë më mirë të jetoj në Spanjë dhe të rris këtu djalin tim”, u shpreh ajo. Ndërsa pyetjes se a po mendon të zgjerojë familjen, Olta Gixhari iu përgjigj: “Së shpejti”.

Ajo udhëtoi për herë të parë në Shqipëri me djalin e saj pas karantinës. Edhe pse është nënë e re dhe e preokupuar me rritjen e djalit Olta Gixhari qëndron aktive në rrjete sociale, duke ndarë momente nga përditshmëria apo ankesat që ka me gjumin. Ndryshe nga Aurela që nuk postoi asnjë foto gjatë shtatzënisë, Olta postonte herë pas here ku ndante momente të bukura me miqtë.

Tani, aktorja, e cila prej më shumë se dy vitesh po jeton në Spanjë me burrin e saj misterioz, me anë të videove që poston, i habit çdo ditë e më shumë ndjekësit me jetën si në filma, nga veshjet te rutina e gatimeve në shtëpinë ku jeton, aq luksoze sa shtëpitë që shihni në telenovelat meksikane.

Aktorja simpatike gjatë qëndrimit në Spanjë nuk ngurron të ndajë me miqtë virtualë momentet e jetës përrallore, ndërkohë që partneri është ai që e shoqëron kudo, duke plotësuar tekat e saj prej artisteje e duke i bërë foto e video.

Pasi ra në dashuri me “djalin perfekt”, që ka vendosur ta mbajë larg medias, Olta nuk e fsheh që po jeton një histori jete si në filma, nga njohja me të e deri te vendimi për të lënë gjithçka e për të krijuar familjen e saj në Spanjë. E rikthyer në format fizike më së miri pas lindjes, ajo është kthyer në motivuese për vajzat që nuk besojnë te dashuria dhe “Princi i kaltër”.

Kujtojmë që Olta Gixhari e dha dha lajmin e bukur nga Spanja, ku ishte karantinuar me të dashurin në shtëpinë e tij, se po bëhej nënë. “Mom and Dad”, shoqëruar me tri zemra të kuqe, ishte statusi në profilin e saj në “Instagram”, me të cilin aktorja shoqëroi foton ku shihej e shtrirë në breg të detit, duke u puthur plot pasion me partnerin.

Në vitin 2019-të, Olta rrëfeu se është në një marrëdhënie të bukur me një djalë shqiptar që jeton në Spanjë dhe se kishte bërë plan të martohej në 2020-ën gjatë një ceremonie private, që kishte menduar ta organizonte po në Spanjë, por që ende nuk është realizuar. Nuk dihet nëse Olta do t’i rikthehet aktrimit tani që jeton në Spanjë, gjithsesi është e sigurt se ajo është e lumtur me jetën e saj dhe shumë në formë.

/Panoramaplus.al