Fabrizio Corona sulmon moderatorin e famshëm: “Një xhuxh pa asnjë talent”
Ish-fotografi i njohur italian, Fabrizio Corona duket po e nxjerr inatin ndaj të gjithëve. Pas sherrit të bujshëm me moderatoren Ilary Blasi, Fabrizio është kapur me një prej moderatorëve më të njohur Nicola Savino, të cilin e ka quajtur “xhuxh që s’di të bëjë asgjë”. Me sa duket, Corona-s nuk i ka pëlqyer fakti që Savino ka mbështetur Blasi-n në debatin mes saj dhe ish-fotografit. Të enjten e kaluar, moderatorja italiane, nuk i la gjë pa thënë ish-fotografit Fabrizio Corona-s, i cili 13 vite më parë publikoi disa foto që dëshmonin tradhtinë e bashkëshortit të saj Francesco Tottti-t, në kohën kur ajo ishte shtatzënë.
Savino i ka dalë në krah Blasi-t, dhe kjo nuk është pritur mirë nga Corona, i cili ka folur për kohën kur moderatori ka punuar me të atin e tij: “Edhe dje mbrëma isha protagonist. Ishte ajo gjëja e vogël, xhuxhi që më fyente, Nicola Panino, me pak fjalë ai që dirigjon këto programet e bujshme. Nikola, ti ke punuar me babain tim i cili ishte një gazetar i madh dhe ai të ka thënë në atë kohë, më vjen keq, por nuk mund të punosh me ne sepse nuk di të bësh asgjë. Në atë kohë punoje si autor”, tha Corona në një video të publikuar në Instagram, shkruan IconStyle. Javën e kaluar Blasi ia plasi gjithçka para syve Corona-s duke i thënë se duhet të mbajë përgjegjësi për të gjitha lajmet e pavërteta që shpërndan. Ajo i mbylli mikrofonin duke e lënë Corona-n pa fjalë, dhe që prej asaj dite ai vijon me reagimet dhe deklaratat në rrjetet sociale.