Eva Alikaj thotë se nuk e ka parë kurrë të plotë “Pallatin 176″

Nëse ka një rol në karrierën e saj artistike që e identifikon më së shumti Eva Alikajn, le ta pranojmë që është ai i Elsës te “Pallati 176”. Aktorja, e ftuar në emisionin e Rudina Magjistarit, foli për projektet artistike dhe rolet në film dhe teatër dhe në mes të bisedës zbuloi se nuk e ka parë kurrë të plotë “Pallatin 176”.

“Para se të vija në emision, djali më rregulloi YouTube-n dhe aty më doli “Pallati 176”. Unë nuk e kam parë të them të drejtën, sepse ne nuk i shohim gjërat që dalin nga ne. Pra, e kam parë me fragmente,” tha ajo.Rudina Magjistari, e habitur nga kjo përgjigje, i tha se nuk e beson një fakt të tillë, për sa kohë që shqiptarët 17 majin e kanë kthyer në një “festë kombëtare” dhe dinë përmendësh çdo batutë të asaj shfaqjeje.

“Besoje që nuk e kam parë! Sa herë dua të shoh televizor, çdo dy apo tre ditë më del Eva dhe i them vetes se nuk kam kohë të të shoh, kam punë!” tha ajo me humor.

Kujtojmë që Eva Alikaj është prej disa muajsh në Tiranë, për shkak të angazhimit në rolin protagonist të Maria Callas që do ngjitet së shpejti në skenën e TKOB.

Anabelmagazine