Europiani i çudirave/ Rezultatet e Grupit B kualifikuan njëherësh 7 skuadra, mbeten vetëm… 5 enigma
Quajeni Europiani i çudirave, rekordeve dhe surprizave! Rezultatet e ndeshjeve të fundit të Grupit B, të EURO 2020, bënë të mundur përcaktimin e jo vetëm 2 skuadrave, Belgjikës dhe Danimarkës, që do të kualifikoheshin për tej, por mundësuan edhe zbulimin e 5 ekipeve të tjera, që siguruan matematikisht një biletë për në fazën me eliminim direkt, pavarësisht pozicionit në grupet respektive.
Fakti se vendi i tretë në Grupin B, Finlanda, e mbylli me 3 pikë dhe me golavarazh -2, kombinuar edhe me situatën e Ukrainës, në Grupin A, që ka po 3 pikë dhe golavarazhin -1, ka sjellë garancinë se skuadra nga grupe të tjera, edhe nëse dalin të tretat, do të kenë të sigurt praninë e tyre në turin tjetër pasi kanë 4 pikë dhe në rastin më të keq do të kualifikohen ndër katër të tretat më të mira.
Biletën pa luajtur e kanë prerë edhe Çekia, Anglia, Suedia dhe Franca, të gjitha në kuotën e 4 pikëve dhe që kanë për të luajtur ndeshjet e tyre në ditët në vijim. Gjithashtu, atyre u shtohet edhe Zvicra e cila tashmë është e sigurt se do të jetë ndër katër të tretat më të mira të Euro 2020 dhe siguron biletën për kalimin e turit.
Kësisoj, ka shkuar në 11 numri i ekipeve të kualifikuara dhe të cilat janë Italia, Uellsi, Zvicra, Belgjika, Danimarka, Holanda, Austria, Çekia, Anglia, Suedia dhe Franca. Këtyre pritet t’u shtohen në dy ditët në vijim edhe 5 skuadra të tjera për të formuar 16-shen e skuadrave të kualifikuara për më tej.
PANORAMASPORT.AL