Është ditëlindja e aktorit që s’di të ndalet

Ndriçim Xhepa feston sot 63-vjetorin e lindjes. Xhepa nuk është shumë aktiv në rrjete sociale, por urimet nga miqtë artistë në profilin e tij nuk kanë munguar. Aktorja Zamira Kita ka publikuar disa foto me Ndriçimin ku e uron me këto fjalë: Gezuar ditelindjen miku im Ndriçim Xhepa! Paç edhe 100 vite te tjere, plot me projekte dhe role te bukura, qe vetem ti, di ti realizosh aq mjeshterisht! Kalofsh bukur! Te perqafoj!

Këngëtarja Flutura Ymeri e uron aktorin me kolonën zanore të filmit “Flutura në kabinën time”.

Ndërsa miq të tjerë e quajnë emblemë të skenës shqiptare aktorin e madh.

Ndriçim Xhepa është shpallur 3 herë fitues i Kupës për ‘’Aktorin më të Mirë” në ‘Festivalet e Filmit’, 2 herë fitues i Çmimit “Aleksander Moisiu” për “Aktorin më të Mirë” në ‘Festivalin Kombëtar të Teatrit’ dhe mban titujt “’Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës’’.

Xhepa ka interpretuar rreth 50 role në teatër, nga të cilët veçohen ato në “Prometeu” të V.Eftimiut, “Në jetë” te Dh. Xhuvanit, “Monserrati” të Roblesit, “Vdekja e një komisioneri” të A.Milerit, “Nën dritat e skenës”, “Nesër është vone” dhe “Shkallët” te R. Pulahes, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Romeo e Xhulieta” te Shekspirit, “Dasëm gjaku” të F.G. Lorca, “Fernando Krafi më ka shkruar këtë letër” të Dorstit, me te cilën fiton Çmimin “Aleksandër Moisiu” si “Aktori më i mirë” në Festivalin Kombëtar të Teatrit më 1995, “Hekurat” e Arpad Göncz, “Vdekja e Dantonit” të Byhnerit, “Nata e trokitjeve në xhama” të Dh. Anagnostit, “Vdekja dhe virgjëresha” te Dorfmanit, “Ylli pa emër” të M. Sebastian, “Portreti i Dorian Greit” të O.Uajlldit, “Pulëbardha” të A.Çehov, “Kapitulli i Dytë” të Sajmonit, me të cilin fiton Çmimin “Aktori më i mirë” në Festivalin Mbarëkombëtar të Aktrimit “Apollon 2004”, Çmimin “Kult” në 2005 dhe Festivalin Ndërkombëtar “Kosova InFest” po në 2005, “Closer” të P. Marber, “Hotel Ballkan” të B.Hoxhës, “Për një fjalë goje” N.Saurrate, me të cilin fiton Çmimi “Kult” në vitin 2007, “Korbi i bardhë” M.Luarasi, “Xhaxha Vanja” të A.Çehov, me të cilin merr për herë të tretë Çmimin “Kult” në vitin 2009, “Darka e gabuar” të I.Kadaresë, “Liri në Bremen” të R. Fassbinder, “Spiuni i Ballkanit” të D. Kovacevic, “Familja Tot” të Örkeny Istvan. Nga viti 1989-2008, ka qenë pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve, në Fakultetin e Artit Skenik dhe në vitet 1996-97 është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitet ’90 interpreton role protagoniste edhe në produksione të pavarura si “Kujdes! Kafshon…” te Gernit, “Mbretëresha e bukur” te McDonagh, “Nesër nisemi për në parajsë” te T. Dervishit dhe “Tradhëti bashkëshortore” të Pinterit. Ndërsa në Teatrin e Kombësive të Shkupit ka interpretuar në shfaqjen “Mbreti Lir” të U.Shekspirit.

Ndriçim Xhepa ka luajtur gjithashtu me sukses në rreth 40 filma si: “Flutura në kabinën time” dhe “Dasma e Sakos” me regji të V.Priftit, “I dashur armik”, “Lindje-Perëndim-Lindje” dhe “Në kërkim të kujt” me regji të Gj. Xhuvanit, “Kohë e largët”, “Të mos heshtësh”, “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Përdhunuesit”, “Sekretet” dhe “Ada” me regji të S. Pecanit, “Hije që mbeten pas” dhe “Rruga e lirisë” me regji të E.Mysliu, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” me regji të Dh. Anagnostit, “Shokët” me regji të K.Çashkut, “Duaje emrin tënd” dhe “Telefoni i një mëngjesi” me regji të I. Muçajt, “Vendimi” me regji të K. Dhamos, “Unë e dua Erën” dhe “Porta Eva” me regji të A. Mingës, “Delegacioni” me regji të B.Alimanit, “Plumbi prej plasteline” dhe “Kronikë provinciale” me regji të A.Minarollit, “Milenium” me regji të B.Bishës, “Kronikë e paharruar në fshatin e harruar” me regji të K.Bekteshit, “I paharruari” me regji të M.Shanaj, filmi grek “Eduard” me regji të Angeliki Antoniu, “Tri ditë nga një jetë” me regji të L.Malaj, filmi grek “Pengu” me regji të Konstandin Janaris, “Tej fasadës” me regji të D.Thanës, “Këshilltarët” me regji të Xh.Dafës.