Ervin Zyfi i “Big Brother” fejohet në SHBA: Jam i lumtur me drejtoreshën, ajo meriton shumë më shumë se unaza me diamante
Njihet si modeli shtatlartë i “Big Brother”, i cili vitin e kaluar la Shqipërinë për një karrierë kinematografike dhe modelingu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por Ervin Zyfi e nisi vitin 2019 me lajme të bukura nga jeta private. Pak kohë pasi u prezantoi miqve të dashurën, për “Panorama Plus” bashkë më rrëfimin e kësaj romance të bukur dashurie, ai zbulon se tashmë është fejuar, një hap që vendosi ta hidhte për Krishtlindje. Për jetën e re në Amerikë, bashkëjetesën dhe pse nuk bën plane të afërta për martesë, Ervini tregon më shumë në intervistën e tij të parë për këtë Vit të Ri.
Dimë që viti 2019 të gjeti të fejuar. Si e more këtë vendim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po jeton aktualisht?
Po, unë dhe partnerja ime u fejuam para mbylljes së vitit 2018. I propozova ditën e Thanksgiving. E propozova te vendi ku u njohëm për herë të parë.
Si u njohët?
Me vendosjen në Amerikë, unë punoj në “Building remodeling Manhattan”, ndërsa e fejuara ime tashmë punon si drejtoreshë e Burimeve njerëzore në një kompani këtu. Ne u njohën nga një shoqëri e përbashkët dhe që nga ajo ditë jemi bashkë.
Ishte e vështirë të zgjidhje unazën perfekte dhe që do t’i pëlqente vërtet partneres tënde?
Për unazën doja të thosha që ka qenë një hall shumë i madh për të vendosur. Nuk dija cilën të zgjidhja, pasi ishin të gjitha të bukura. Pasi u lodha për ditë e ditë me radhë, duke parë e duke e pyetur shitësit në dyqan, vendosa të blija një që mua më pëlqeu dhe rezultoi që kisha bërë zgjedhjen e duhur, pasi edhe partnerja ime e pëlqeu. Mendoj se për të gjithë meshkujt blerja e unazës është pjesa më e vështirë.
Çfarë ngjyre e zgjodhe unazën e fejesës dhe sa kushtoi?
Unaza është ar i bardhë me 3 karat diamante. Çmimi s’ka rëndësi, por di të them që ajo meriton shumë edhe më shumë se kaq.
Deri tani ke zbuluar vetëm imazhin e vajzës që të ka rrëmbyer zemrën, por asgjë më shumë. Është shqiptare apo e huaj?
Është shqiptare, bashkëjetojmë dhe jemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Përmbledhja në një frazë e dashurisë sonë është: “Çdo histori dashurie është e bukur, por kjo e jona është e preferuara”. Këtë shprehje në anglisht e kemi vendosur në një kornizë tek dhoma jonë e gjumit.
Çfarë të tërhoqi te kjo vajzë, që more vendimin për ta zyrtarizuar lidhjen me fejesë?
Më tërhoqi tipi që ka, thjeshtësia dhe qetësia që e karakterizon. Me të jam ndier mirë që ditën e parë dhe kuptohemi shumë mirë. Më saktë, nëse do e përkufizoja tipin e saj, do e quaja “e qetë dhe çmendur”.
Ndihesh i lumtur që ke gjetur dashurinë në një vend si Amerika, ku ritmi i jetës është gjithmonë dhe më i shpejtë?
Jam shumë i lumtur, se s’ka më mirë kur takon ditë që kuptohesh dhe mezi pret ta takosh, ose të kthehet nga puna. Është ndjesi e paparë.
Bëhesh xheloz për të, po ajo për ty?
Po normal që bëhem dhe ajo për mua, por aty ku duhet. Pa xhelozi nuk funksionon.
Martesa është në planet tuaja, apo mjaftoheni me bashkëjetesën?
Në fakt, më pëlqen që kur vjen puna te planet e së ardhmes hapat t’i bëj avash, pasi vendimet e marra shpejt nuk zgjasin./Panorama Plus