Eros Grezda i ndërron vitet me vajza VIP. Pas Nevina Shtyllës, nis histori të re me Oriola Marashin
Modelja Oriola Marashi përflitet se është në një lidhje me sulmuesin e Kombëtares, Eros Grezda. Çifti kaloi së bashku ndërrimin e viteve dhe ditët e para të Vitit të Ri.
Lajmi për një lidhje mes tyre u përhap pasi u bë publike një foto, ku Oriola dhe Eros shihen të kapur për dore. Duket se modelja dhe futbollisti ndihen mirë në krahët e njëri-tjetrit dhe po përjetojnë një romancë të bukur, duke qenë se jo vetëm kalojnë bukur bashkë, por edhe i bëjnë surpriza njëri-tjetrit.
Sapo doli lajmi se ata janë në një lidhje, Oriola publikoi edhe dhuratën që ka marrë nga partneri i saj, një buqetë gjigante me trëndafila në formën e një zemre.
Nuk dihet ku është njohur Oriola me Erosin, i cili duket se është hedhur në sulm me vajzat VIP, duke ndërruar vitet me njërën prej tyre. Kujtojmë që 2019- ën ai e priti me prezantuesen e “Top Channel”, Nevina Shtylla, histori që zgjati të paktën deri para 6 muajsh.
Fiks në atmosferën festive të vitit 2019, në rrjet qarkulloi lajmi se mes moderatores Nevina Shtylla dhe futbollistit të kombëtares, Eros Grezda, mund kishte nisur një histori dashurie. Kjo, sepse ata postuan një foto së bashku, ku dukeshin shumë intimë me njëritjetrin.
Edhe pse asgjë nuk u konfirmua dhe Nevina tregoi se ishin takuar rastësisht në Tiranë, thashethemet nisën të qarkullonin sërish para gjashtë muajsh dhe jo pa arsye. Ishte Nevina ajo që publikoi në muajin qershor 2019 një foto në “Instagram”, ku Eros i komentonte një “emoji” sirenë.
Nga ana tjetër, ish-Missi 25-vjeçare iu përgjigj me dy përqafime, duke hedhur kështu hapin e parë të daljes hapur me futbollistin seksi, pas 6 muajsh që u tha se e mbajtën lidhjen sekrete. Kaq u desh që fansat të binden se kjo ishte një romancë dashurie, që Nevina po e shijonte pas kamerave me futbollistin Eros.
Mediat shkruanin se ajo ishte duke jetuar një lidhje speciale dhe pushime së bashku, duke qenë se të dy postonin në “Instagram” foto plazhi në vende të njëjta.
Nuk dihet se ç’ndodhi me Nevinën që ai u hodh në krahët e Oriolës, e cila së fundi po komentohet për jetën luksoze dhe pushimet në destinacionet më të shtrenjta të botës.
KUSH ËSHTË EROS GREZDA, SULMUESI SEKSI QË BËN PËR VETE VAJZAT VIP
Viti që lamë pas nuk nisi aq i mbarë sa i takon shëndetit dhe karrierës për Eros Grezdën, por të paktën i ka ecur në dashuri. Kujtojmë që në janar 2019, Eros Grezda u dëmtua gjatë periudhës përgatitore të ekipit të Glasgow Rangersit në Tenerife të Spanjës.
Lojtari lëndoi kyçin e këmbës, që i solli probleme në përshtatje me futbollin skocez, kur u transferua në përfundim të sezonit veror vitin e kaluar nga Osijek. Lojtari u pa duke ecur me paterica, pamje të siguruara nga e përditshmja britanike “Daily Record”.
Kjo u konsiderua një goditje e rëndë jo vetëm për Rangers, që e kanë infermierinë të mbipopulluar, por sidomos për kombëtaren, pasi Grezda është lojtar shumë i vlefshëm për ekipin. Por natyrisht që Eros e kaloi këtë situatë, duke hyrë në stinën e verës në superformë, me një fizik për t’u admiruar.
Po kush është Eros Grezda, sulmuesi seksi që bën për vete vajzat VIP? I lindur më 15 prill 1995 në Gjakovë, është 1.80 m i gjatë dhe është futbollist profesionist shqiptar, që luan si mesfushor dhe sulmues për klubin skocez Rangers dhe në ekipin kombëtar shqiptar.
Ai lindi në Gjakovë, por u rrit në Prishtinë, si fëmija i tretë i Genc dhe Valbona Grezdës. Karrierën futbollistike e nisi pikërisht me Prishtinën, duke luajtur mes moshës 9 dhe 15 vjeç. Ai më pas u zhvendos për një kohë të shkurtër në FK Rabotnicki, ku u ndoq nga GNK Dinamo Zagreb, për të kaluar 1 vit atje, duke luajtur me U-17.
Në verën e vitit 2012, Grezda nënshkroi për klubin austriak Grazer AK. Grezda arriti në Slloveni në verën e vitit 2013, duke nënshkruar për klubin NK Aluminij. Ai pastaj u ngrit në nivel, duke nënshkruar me klubin e PrvaLiga, DNŠ Zavrc në janar 2015, së bashku me Antonio Pavic.
Pas një karriere të spikatur më 31 gusht 2018, klubi skocez Rangers konfirmoi se Grezda kishte nënshkruar kontratë katërvjeçare. Grezda mori nënshtetësinë shqiptare më 31 janar 2016. Thirrjen e parë nga trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, e mori për ndeshjet e kualifikimit të Kupës Botërore FIFA 2018 kundër Lihtenshtajnit dhe Spanjës, në tetor 2016.
Ai u ftua për ndeshjen e 5-të 2018 të kualifikimit të Kupës së Botës në FIFA kundër Italisë, më 24 mars 2017 dhe ndeshjen miqësore kundër Bosnje-Hercegovinës, më 28 mars 2017. Grezda bëri debutimin e tij të parë më 24 mars 2017 kundër Italisë, si zëvendësim në minutën e 87- të në vend të Odise Roshit.
Sa i përket jetës private, më parë ai nuk ishte përfolur për ndonjë lidhje, ose më mirë të themi nuk ishte mediatizuar për ndonjë histori të bërë publike më parë, por njihet si sulmuesi seksi që çmend femrat në rrjetet sociale.
Ndërkohë, nuk është diçka e re që lidhjet e futbollistëve me moderatoret e emisioneve sportive ndodhin shpesh, duke qenë se i lidh puna me njëri-tjetrin. /Panorama Plus