Ermal Metën e përjashtojnë nga Sanremo? Drejtuesit vendosin…

Festivali i Sanremos startoi mbrëmë me natë e parë të edicionit të 68-të. Pjesëmarrës në këtë garë të forte, është edhe këngëtari nga Fieri, por i rritur në Itali, Ermal Meta. Në këtë edicion ai vjen në një bashkëpunim me këngëtarin italian Fabrizio Moro me këngën “Non mi avete fatto niente”. Por edhe pse kënga e tij kryeson në klasifikim pasi është votuar si nga publiku, juria dhe nga media, Meta dhe Moro janë emrat më të polemizuar nga mediat italiane, duke rrezikuar përjashtimin nga “Sanremo”. Shkak për këtë u bë sipas mediave italiane fakti se kjo këngë është prezantuar në edicionin e “Sanremo Giovani” të 2016-s, pasi kanë shumë ngjashmëri si në tekst dhe në melodi. “Silenzio” u këndua në duet nga Ambra Calvani dhe Gabriele de Pascali, një këngë kjo që mban firmën e të njëjtit autor, që krijoi këngën e Metës dhe Moros, Andrea Febo. Dhe pasi këngëtari shqiptar Ermal Meta dhe ai italian Fabrizio Moro u akuzuan për plagjiaturë, që do të sillte skualifikimin e tyre nga gara, vjen reagimi zyrtar Rai-t: “Nuk është plagjiaturë, tani për tani qëndrojnë në garë. Jemi duke bërë vlerësimin”. Nga ana tjetër Drejtuesi artistik i Festivalit të Sanremos, Claudio Baglioni ka tërhequr vëmendjen për kujdes dhe maturi në lidhje me këtë çështje”, sipas TGcom.