Ermal Meta pranon se nuk ka dashur të bëhet baba, për shkak të së shkuarës me të atin
Ermal Meta e ka prekur sërish temën delikate të babait në një intervistë të dhënë për “Verissimo”. Artisti rrëfeu se për një kohë të gjatë nuk ka dashur të bëhet baba pikërisht prej së shkuarës së tij.
“Kam menduar për një kohë të gjatë që nuk doja të bëhesha baba. Nuk doja kurrë të rrezikoja që fëmija të mendojë për mua atë që kam menduar gjithmonë për babain tim. Kisha shumë frikë nga kjo gjë. Ka pak kohë tani, diçka brenda meje ka ndryshuar. Do t’ju thoja që po, do ta bëja, por nuk e di”, u shpreh Ermali.
Silvia Toffani i kërkoi t’i rrëfente edhe një moment të 40 viteve të tij të jetës.
“Jam në të dyzetat. Ndihem mirë. Ishte një rrugëtim i bukur edhe i vështirë. Në muzikë shikon vetëm atë që bën në skenë, por pas saj ka shumë gjëra që nuk sheh. Këngët janë lule kur dalin, por shpeshherë rrënjët e tyre janë shumë të hidhura”, ka shtuar Ermali, këngët e të cilit janë goxha prekëse dhe bazuar në histori personale./revistawho.com