Ermal Mamaqi i përgjigjet nëpërmjet Rezart Veleshnjas kritikave të Alfred Trebickës për filmat komercialë në Shqipëri
“I love Tropoja” shkaktoi debat mes disa prej artistëve, të cilët u ndanë në dy grupe: ata që e mbështetën iniciativën e Ermal Mamaqit për projektet filmike dhe ata që e kritikuan dhe e cilësuan si prodhim komercial.
Në “Shqipëria LIVE” disa javë më parë, Alfred Trebicka, Rezart Veleshnja, Zamira Kita dhe Genc Fuga diskutuan pikërisht për filmat e prodhuar vitet e fundit, ku emri i Ermalit u përmend jo pak. Trebicka dhe Fuga ndanë të njejtin mendim lidhur me faktin se në Shqipëri ka më shumë filma komercialë, se sa orientim drejt kinemasë (artit). Një moment të tillë, “Portokalli” e ka sjellë në formën e numrit të humorit mbrëmjen e djeshme.
Në lidhje ‘live’ me studion, personazhi që interpretohet nga Rezart Veleshnja flet pikërisht për një temë të tillë. Mes batutash, Ermali nuk e ka anashkaluar këtë moment. Ai ka postuar disa pjesë nga ky numër, duke përgëzuar Rezartin për aftësinë në imitim. Duket kjo si një përgjigje ndaj Trebickës, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë…