Ermal Mamaqi e pranon: “Unë vetëm kopjoj, s’mund të thartoj trutë për katunarët shqiptarë”

Ermal Mamaqi prezantoi të shtunën puntatën e tretë të “show-t” “Xing me Ermalin”, në fillim të të cilit mbajti një monolog rreth komenteve në media, se intervista e tij me këngëtaren Bleona Qereti ishte kopje në çdo detaj e emisionit të Ellen DeGeneres “The Ellen Show”, gjatë puntatës ku kishte të ftuar Britney Spears. Një javë pas transmetimit të asaj interviste, Ermal Mamaqi e pranoi hapur se është kopjac. “Kopjova prapë…. Shumë gjë e shëmtuar është kopja, kafshatë që s’kapërdihet është or vëlla kopja, pavarësisht se me kopje kanë marrë diplomën 99 për qind e studentëve. Ok, e di që plasët me atë videon e Ellen dhe Britney-t që ishim me Bleonën, po ajo ishte ide e bukur, ishte super ide, plus që e bëra unë me Bleonën…”.Pse bëni sikur ishte zbulimi i shekullit që ne kemi kopjuar, kur sa hap youtube-in ajo është videoja e parë që del?!”, iu drejtua ai mediave që i nxorrën të palarat. Duke u justifikuar më tej Mamaqi u shpreh: “Ellen, Fallon, etj, kanë më shumë 500 se milionë publik, ndërsa Shqipëria s’i ka as tre milionë njerëz që shohin televizior, për më tepër gjysma e tyre janë katunarë. Po pse mo për këta do i thartojmë trutë ne?! Jeni në vete ju?! Sa për videon me Bleonën ne e pamë, e pa edhe Bleona e shkretë, e cila atë ditë s’ishte aq mirë se ishte veshur. Dhe i thamë: “E çfarë ka Britney më shumë se ty, jo asgjë… Edhe ne dukemi bukur, dhe ja kështu e vendosëm…”, ishte sqarimi që bëri vetë Ermali në puntatën e tretë të “Xing”, ku ndër të tjera e justifikoi mungesën e ideve origjinale me faktin që ka plot ide të gatshme në youtube, ndaj s’ka pse lodhet fare.